Presidenti Joe Biden shtoi retorikën e tij ndaj Rusisë të martën, duke akuzuar Presidentin rus Vladimir Putin se projektoi një “genocid” në Ukrainë.
“Buxheti i familjes suaj, mundësia për të mbushur serbatorin, asnjë prej këtyre nuk duhet të varet nga nëse një diktator shpall luftë dhe bën gjenocid gjysmë bote larg”, tha Presidenti Biden gjatë një vizite në shtetin amerikan Ajova për të njoftuar një program që do të ndihmojë në uljen e çmimit të karburantit.
Ndërsa bisedonte më pas me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, presidenti amerikan e mbrojti vendimin e tij për t’i quajtur gjenocid veprimet e Rusisë.
“E quajta gjenocid pasi nuk ka qenë kurrë më e qartë se Putini thjesht po përpiqet ta fshijë idenë se dikush mund të quhet ukrainas, dhe evidenca po shtohet”, tha Presidenti Biden.
“Le t’i lëmë juristët të vendosin ndërkombëtarisht nëse kualifikohet apo jo, por mua më duket pikërisht kështu”, tha ai.
Presidenti Biden e ka kritikuar vazhdimisht Presidentin rus Putin, duke e quajtur atë publikisht “kriminel lufte” dhe duke kërkuar që ai të dalë para drejtësisë pasi u zbulua evidenca për mizoritë në Bucha, një qytet në rrethinat e Kievit.
“Ky njeri është brutal, dhe ajo ç’po ndodh në Bucha është revoltuese, dhe të gjithë e kanë parë”, tha në atë kohë Presidenti Biden për Presidentin Putin. “Kjo ka nevojë për… – ai është një kriminel lufte”.
Për javë të tëra, zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë folur për evidencë në rritje të atyre që i quajnë mizori sistematike dhe krime lufte që po kryhen nga forcat ruse ndërsa tërhiqen nga disa pjesë të Ukrainës.
Por, nëse kishte ndonjë shpresë se Rusia mund t’i jepte fund së shpejti sulmit të saj të mbi një muaji e gjysëm në Ukrainë, Presidenti Putin i fiku ato gjatë një fjale në stacionin e nisjeve për në hapësirë, Vostochny, në pjesën e largët lindore të Rusisë.
Udhëheqësi rus tha se lufta do të vazhdojë derisa ushtria të arrinte ato që i quajti objektivat “fisnike” të vendit të tij.
Putin gjithashtu u zotua se ushtria ruse do të përparonte “me ritëm dhe me qetësi”, duke fajësuar Ukrainën për prishje të bisedimeve për paqe.
“I jemi rikthyer një situate pa krye”, tha Putin për negociatat, duke shtuar se Rusia nuk ka zgjedhje tjetër përveç se të vazhdojë.
“Shpesh dëgjoj pyetje nëse është e mundur të veprohet më shpejt?”, u tha Putin punonjësve të bazës, sipas informacionit të qarkulluar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
“Është e mundur”, shtoi ai. “Varet nga intensiteti i luftimeve”.
Pasi iu pengua përparimi drejt kryeqytetit ukrainas, forcat ruse po përqëndrohen tashmë në rajonin lindor Donbas, ku Ukraina njoftoi të martën se po hetonte pretendimin se ishte përdorur një substancë e ndaluar ndaj forcave ukrainase. Megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë lloji mund të jetë substanca e përdorur, zyrtarët perëndimorë paralajmëruan se çfarëdolloj përdorimi i armëve kimike nga Rusia do të përbënte një përshkallëzim serioz të një lufte tashmë shkatërrimtare.
Pasi hasi pengesa në arritjen e ambicies së tij të qartë për të pushtuar kryeqytetin ukrainas, Presidenti rus Vladimir Putin tashmë po grumbullon forcat për një ofensivë të re në rajonin lindor të vendit, në Donbas. Ai këmbënguli të martën se fushata e tij do të vazhdojë derisa të arrijë qëllimet e saj. Putin tha se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste atë që ai e quan “një operacion special ushtarak” duke shtuar se ajo synonte të mbronte civilët në Donbas, një rajon kryesisht rusishtfolës.