Ambasada gjermane në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje me aplikimin për viza pune, derisa ka treguar interesimin e madh që kanë kosovarët kohëve të fundit, që nga muaji dhjetor e deri tani, në aplikimet për viza pune drejt Gjermanisë, shkruan Gazeta Metro.
Nga kjo ambasadë në një prononcim për Metron, u tha se nga muaji dhjetor e deri tani për një termin sipas procedurës së shortit janë regjistruar rreth 45,000-55,000 persona.
Por kjo ambasadë lëshon vetëm 500 deri në 800 termine për aplikime në muaj, ndërsa 5,500 në vit.
‘’ Në fakt ambasada mund t’i ofrojë rreth vetëm 500 deri në 800 termine për aplikim në muaj, derisa të arrihet numri maksimal prej 5.500 viza për një vit për aplikuesit nga Kosova. Do të thotë në vitin 2022 gjithsej jo më shumë se 5.500 aplikues nga Kosova do të mund të marrin një vizë për nisje të punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor’’, thuhet tutje në prononcimin e ambasadës për Metro.
E regjistrimet të cilat nuk kanë qenë të suksesshme, pas përzgjedhjes me anë të shortit duhet të fshihen, dhe kështu kushdo që dëshiron të marrë pjesë përsëri pra të aplikoj edhe një herë për muajin e ardhshëm.
‘’ Prandaj tek shumica e regjistrimeve të reja bëhet fjalë për personat e njejtë, të cilët janë regjistruar në muajt paraprakë. Kështu që thjeshtë mbledhja e shifrave të regjistrimeve për të gjithë muajt çon në rezultate të gabuara, gjegjësisht çorientuese’’, thuhet tutje në njoftimin e ambasadës gjermane.
E sipas kësaj ambasade për shkak të pandemisë gjatë filimvitit të 2020 deri me 4 korrik 2021 në Gjermani ishin kufizimet e hyrjeve, kështu ambasada gjermane në Prishtinë ka lëshuar viza vetëm për kategori të caktuara që ishin të përjashtuara nga këto kufizime.
‘’ Megjithë kufizimet e udhëtimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19 që kanë qenë në fuqi në vitin 2021 Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar rreth 34.000 viza për të gjitha kategoritë. Këtu përfshihen 17.000 viza afatshkurtëra dhe rreth 17.000 viza për qëndrime afatgjata (për qëllime të bashkimit familjar, viza të punësimit, studimit, etj.). Në vitin 2021 Ambasada Gjermane Prishtinë ishte një nga ambasadat gjermane që ka lëshuar më së shumti viza në mbarë botën.”
E kushti i cili duhet të plotësohet për lëshimin e vizës së punës mbetet miratimi i Agjensisë Federale të Punës.
Brenda një viti maksimalisht nga kjo ambasadë lëshohen 25 mijë miratime për aplikacione të tilla, 5,500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova.
‘’ Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine në shtetet e Ballkanit Perëndimor jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit. Për procedurën e shortit në mars 2022 ambasada i ka pranuar 48.044 kërkesa për terminet që janë në dispozicion për aplikim për vizë’’, shton ambasada gjermane.
Kujtojmë se në Kosovë kohëve të fundit është rikthyer tema e ikjes së të rinjve nga Kosova, ku shifrat kanë dalur të jenë shqetësuese. E këto shifra po shihen si shkak i rritjes së papunësisë dhe gjendjes ekonomike të vështirë. Kurse nga Qeveria Kurti pretendohet krejt diçka tjetër, ministrat e këtij kabineti thonë se ka rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të punës, por që realiteti del të jetë krejt tjetër