Mediumi boshnjak me bazë në Sarajevë ‘Oslobodenje’, autori i shkrimit të së cilës është kryeredaktorja Vildana Selimbegoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për çështjen e lëvizjes së lirë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë.
“…Por ajo që është më e rëndësishme këtu është ajo që Osmani heshti. Dhe kjo sepse ishte qeveria e saj ajo që theu marrëveshjen rajonale për lirinë e udhëtimit me letërnjoftime, e cila duhej të zgjidhte këtë çështje – të çonte në heqjen e vizave ndërmjet Kosovës dhe BeH”, thuhet në artikullin e ‘Oslobodenje’, përcjell lajmi.net.
Siç shkruan mediumi, Osmani nuk ka deklaruar se përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë në procesin e negociatave me përbuzje kanë deklaruar se nuk do të pajtohen me marrëveshjet rajonale që e vendosin Kosovën në pozitë të pabarabartë, vetëm për të siguruar regjim pa viza me BeH-në.
Këtij artikulli i kanë paraprirë deklaratave të presidentes Osmani, e cila ka thënë për Radio Evropa e Lirë se ka mbajtur takim me anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq dhe Sefik Xhaferoviq.
“Qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës”, citohet të ketë thënë ndër të tjera Osmani.
“Për t’i bërë gjërat edhe më cinike, qeveria aktuale e Kosovës ka refuzuar kërkesat e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron dhe mbarë komunitetit ndërkombëtar për të rënë dakord për marrëveshjen rajonale, e cila do të nënshkruhej korrikun e kaluar në kryesimin gjerman nën Samitin e Berlinit”, shkruhet më tej.
“A do të thotë kjo tani se presidentja e Kosovës e ka kuptuar se loja me shumën zero nuk po i çon askund, apo është aq naive sa të besojë se do ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë dypalëshe me BeH-në?”, thuhet ndër të tjera në artikull.