Gazetari Vehbi Kajtazi e ka cilësuar “servilosje ndaj shefit” një deklarim të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, rreth çështjes së zgjedhjeve serbe.
Me përmendjen e emrit të Aleksandar Vuçiqit, deputeti Basha krijoi një analogji mes presidentit serb dhe “do personaliteteve” në Kosovë të cilët, sipas tij, “janë ka mërziten më shumë se Vuçiqi” për refuzimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
“Vuçiqi veq ka pajtu, kurse do në Kosovë ende nuk o punë m’u pajtu që i kemi refuzu zgjedhjet e Serbisë në Kosovë! Janë ka mërziten ma shumë se Vuçiqi. Për ata që i kanë pasportat e tyne edhe dojnë me votu, interesohuni se m’doket Vuçiqi po organizojke me i çu me autobusa falas”, tha Basha.
Kajtazi, ironikisht e komentoi si “shumë postim të qëlluar” deklarimin e Bashës.
“Veç dije se historikisht ata që i janë servilos shefit shumë, në fund janë abuzu nga ai”, u shpreh gazetari. “Kallxom ti mu mas pari cili është ai shqiptar që po mendon si Vuçiqi? Edhe akuzat politike duhet me flejt pak. E qëndrimi jem është publik shumë kohë para se me vendos qeveria”.
Debati mes tyre vijoi, por Basha nuk u pajtua me komentin e Kajtazit. Mohoi të jetë servil i shefit të qeverisë.
“Dmth servilosje quan ti qëndrimin tim, po edhe të Albinit, Presidentes, Kryekuvendarit dhe gati shumicën e qytetarëve mos me mbajtë zgjedhje a? Se di qëndrimin tënd. Çka po thu ti, a u dashte m’i lanë a jo?”, u përgjigj Basha.
Qeveria e Kosovës refuzoi një propozim të Bashkimit Evropian për lehtësimin e procedurave të votimit për serbët e Kosovës në zgjedhjet presidenciale serbe që mbahen më 3 prill.
Vendimi i ekzekutivit, të cilin e miratoi në heshtje edhe presidentja Vjosa Osmani, është kritikuar nga pesë shtetet e QUINT-it. /Botapress.info/