Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e drejtuar nga ministrja Donika Gërvalla ka marrë vendim që të ndërpresë marrëdhënien e punës ndaj 11 punonjësve të kësaj ministrie.
Ministria e Punëve të Jashtme largon nga puna 11 punonjës të ministrisë
Vendimi në fjalë është theksuar se u morë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.
“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.”, thuhet nga MPJD.
Poashtu u theksua se ministria është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri.”,thuhet tutje./Botapress.info/.