Biznesmeni Arian Idrizaj është njëri nga tetë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3”, aksion ky që u zhvillua gjatë ditës së djeshëm në tri lokacione.
Idrizaj dyshohet se ia ka dhënë 100 mijë euro, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.
“Për të pandehurin A.I., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq] që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.
Biznesmeni nga Prishtina dyshohet për veprën penale “dhënie ryshfeti” dhe “ushtrim të ndikimit”, pasi për këtë të fundit, gjithmonë sipas njoftimit të Prokurorisë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq], që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij.
Për Idrizajn dhe shtatë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3” Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në njoftimin Prokurorisë ferizajase./Insajderi.org/