Dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi, dhe Besim Tahiri, janë dënuar me pesë vjet burgim, si të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve është shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bekteshi është dënuar me dy vjet burgim, ndërsa i akuzuari Tahiri me tri vjet.
Po ashtu, atyre u është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit detyrohen që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë dëmin në vlerë 29 mijë e 828 euro.
Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.
Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi, që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
I pandehuri Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqesë kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.
I pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, pasi që thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. /Botapress.info/