Ditë më parë në Kosovë u prezantua një shifër shqetësuese nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Vetë Kryeministri Kurti e komentoi atë duke shpjeguar se 30 për qind e të rinjve bë vend të moshave 15 deri 24 vjeç nuk punojnë, studiojnë apo nuk janë pjesë e asnjë trajnimi, por për ta s’po shihet ndonjë zgjidhje e shpejt në horizont. Në përgjithësi në Kosovë shifrat e papunësisë është nën 17 për qind. Opozita thotë se s’bëhet fjalë për ulje të papunësisë por vetëm formalizime.
”Punë dhe drejtësi”, ishte slogani i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ardhur në pushtet.
Ai brenda politikave të punësimit në fokus i kishte të rinjet – me të cilët e shihte ndryshimin.
Por, përkundër se kanë kaluar dy vjet, papunësia mbetet problem për Kosovën, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
“S’do të lejohet Republika Srpska”, Kurti sonte ia nisë Asociacionit
Madje këtë e tha vetë kryeministri Kurti gjatë pjesëmarrës në programin “Kosova Generation Unlimited”, ku deklaroi se 30 për qind e të rinjve 15 deri në 24 vjeç janë joaktivë – nuk punojnë, nuk studiojnë, si dhe nuk janë pjesë e ndonjë trajnimi.
”Ne e dimë se ka një numër të madh të të rinjve që përveç se nuk janë në punë, nuk janë as në shkollë e as në fakultet, e as në ndonjë trajnim. 30% e të rinjve të moshës prej 15 deri në 24 vjeç janë në një gjendje të tillë. Kurse, në disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë, përqindja e të rinjve pa punë, arsim apo trajnim është edhe më e lartë sesa kaq“, ka thënë Kurti më 24 prill.
Kurti dhe qeveria e tij kanë krijuar platformën „Super Puna“ që nënkupton një pagesë të garantuar prej shtetit 264 euro bruto për 6 muaj, ku kompanitë hapin shpalljet dhe të rinjet aplikojnë.
Sipas të dhënave të publikuar nga ky mekanizëm qeveritar deri më 6 prill të këtij viti kanë qenë mbi 2 mijë marrëdhënie pune.
Pushteti beson se ka efektivitet një politikë e tillë, por edhe të tjerat përcjellëse. Përgjithësisht Qeveria pretendon se ka ulur papunësinë nëpërmjet politikave të punësimit.
Bazuar në të dhënat e ASK-së për tremujorin e parë të vitit 2022, papunësia në Kosovë është 16.6 për qind.
Në lidhje me ketë, Ferat Shala, deputet i Partisë Demokrtike të Kosovës (PDK), i ka thënë Gazetës Express më 24 prill se ka vetëm formalizime të vendeve të punës.
“Ka formalizime të vendeve të punës dhe jo edhe punësim real”, ka thënë Shala teksa komentonte pretendimet e Qeverisë për krijimin e vendeve të punës.
Megjithatë, papunësia tek të rinjet mbetet e lartë ashtu siç e ka potencuar vetë kryeministri Kurti.
Sipas ASK-së, afër 100 mijë të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar. Të njëjtën e theksoi edhe Kurti, por duke e pranuar që ka edhe të tjera probleme.
Një tjetër problem mbetet edhe puna ilegale, pra ajo pa kontratë, sipas të dhënave të ASK-së fuqia joaktive është mjaft e lartë me 61.4%, me fokus të veçantë te gratë me 77.9 për qind, krahasuar me meshkujt, 44.8 për qind.
Qeveria e Kosovës dhe ministrat e Kurtit krenoheshin me rritjen ekonomike dyshifrore të vitit 2021.
Por, një rritje e tillë nuk po përsëritet, bazuar në raportin e fundit të Bankës Botërore, ritja e Bruto Prodhimit Vendor pritet të jetë pak më e lartë, duke arritur në 3.7 përqind.
”Rreziqet mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme. Në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik”, ka thënë Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Përgjithësisht, bazuar në raportet e Bankës Botërore dhe ASK-së, ekonomia kosovare është ndikuar ndieshëm nga inflacioni.
Paga miniamle në Kosovë vazhdon të jetë 170 euro për personat mbi moshën 35-vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë. Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka miratuar në lexim të dytë pagën mininale 264 euro bruto për të gjithë.
Ndërkaq, sipas të dhënave të ASK-së, paga mesatare nuk e arrin shifrën 500 euro.
Duke iu referuar këtye faktorëve, gjatë vitit 2021 mbi 43 mijë qytetarë lëshuan vendin – pjesë e madhe të moshave të reja.
Në një situatë të tillë, kryeministri Kurti është zotuar se do të ndihmojë fuqizimin e rinisë, por rezultatet konkrete bazuar në raportet e institucioneve kredibile nuk janë parë.
Shqetësimet janë rritur sidomos pasi Parlamenti Evropian ka aprovuar liberlaizimin e vizave për qytetarët e Kosovës prej 1 janarit 2024, kjo po shihet se të rinjet të cilët i përmendi Kurti që nuk kanë asnjë aktivitet janë potencialë për t’u larguar nga Kosova.