Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur paraqitjen nga ana e saj të provave në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjyqi filloi më 3 prill 2023.
Në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë. ZPS-ja paraqiti rreth 3 000 prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore.
Zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.
Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) ngriti lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit,” tha Prokurorja e Specializuar.
Prokurorja e Specializuar shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur që ZPS-ja të paraqiste provat e saj.
“Ne duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura,” vazhdoi znj. West. “Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta.”



Të tjera
Aktuale
Spiropali: Kosova është prioritet absolut i politikës së Jashtme të Shqipërisë
Ministrja e Punëve të Jashtme e
Lajme
Fenomeni i rrallë “shi i kuq”, çfarë pritet të ndodhë në qiell?
Mbretëria e Bashkuar pritet të përjetojë
Aktuale
Gjermania anulon mbi 8,200 leje qëndrimi: 661 prej tyre ishin shqiptarë
Autoritetet gjermane anuluan 8,232 leje qëndrimi