Zbardhet telefonat Trump-Netanyahu që ndryshoi Lindjen e Mesme: Çfarë u bisedua më 23 shkurt

Një bisedë telefonike mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump, më 23 shkurt, konsiderohet momenti përcaktues për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, sipas një raportimi të publikuar nga Axios, që citon burime me dijeni mbi përmbajtjen e komunikimit.

Sipas artikullit, Netanyahu telefonoi Trump në fillim të javës së kaluar për ta informuar se udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, do të zhvillonte një takim në Teheran, mëngjesin e së shtunës, me këshilltarë të lartë.

Sipas vlerësimit izraelit, kjo krijonte mundësinë që të goditeshin të gjithë njëkohësisht, përmes një sulmi të vetëm.

Axios e cilëson telefonatën e 23 shkurtit si “thirrja që ndryshoi Lindjen e Mesme” dhe raporton se Trump CIA të verifikonte informacionet e siguruara nga shërbimi ushtarak i inteligjencës izraelite.

Agjencia amerikane thuhet se konfirmoi besueshmërinë e të dhënave.

Zyrtarë amerikanë të cituar nga media bëjnë të ditur se, ndërsa përgatitjet për një sulm të mundshëm ishin në zhvillim, Trump mori “vendimin e ndërgjegjshëm” për të mos u ndalur gjerësisht te Irani në fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit, një ditë pas telefonatës me Netanyahun.

Sipas burimeve, ekzistonte shqetësimi se Khamenei mund të fshihej dhe t’i shpëtonte një sulmi nëse do të kuptonte se po afrohej një operacion ushtarak.

Deri të enjten, po atë ditë kur të dërguarit e Trump u takuan në Gjenevë me negociatorë iranianë, CIA kishte “konfirmuar përfundimisht se të gjithë këta persona do të ndodheshin së bashku dhe se duhej shfrytëzuar mundësia”, sipas një burimi të cituar nga Axios.

Pas takimit në Gjenevë, të dërguarit e presidentit amerikan e informuan atë se negociatat nuk po prodhonin rezultate.

“Nëse vendosni të vazhdoni me diplomacinë, ne do të ushtrojmë presion dhe do të luftojmë për një marrëveshje. Por këta njerëz na treguan se nuk janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje që do t’ju kënaqte”, mësohet t’i kenë thënë ata Trump, sipas raportimit.

Të nesërmen, pasi arriti në përfundimin se bisedimet nuk po jepnin fryte dhe se informacionet mbi Khamenein ishin të besueshme, Trump thuhet se dha urdhrin për sulmin.

Axios citon gjithashtu një zyrtar amerikan, sipas të cilit SHBA-ja dhe Izraeli fillimisht kishin planifikuar që goditja të kryhej në fund të marsit ose në fillim të prillit, në mënyrë që administrata amerikane të kishte kohë të siguronte mbështetje në opinionin publik vendas.

Megjithatë, sipas të njëjtit burim, Netanyahu ushtroi presion për përshpejtimin e operacionit, duke paralajmëruar se figura opozitare iraniane që vepronin në ilegalitet rrezikonin të vriteshin nga regjimi.