Vjosa Osmani presidente edhe për një mandat, cili është qëndrimi i partive në Kuvend?

Gjashtë muaj para se t’i skadojë mandati presidentes Vjosa Osmani, partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme nëse do ta përkrahin atë për një mandat të dytë. Pavarësisht se Kuvendi ende nuk është konstituuar, për Osmanin, e cila javë më parë ka thënë se po e mendon seriozisht mundësinë e rikandidimit, shenja pozitive kanë dhënë në LVV dhe Alternativa, kurse në LDK janë më të rezervuar për të komentuar, ndërkaq, kategorikisht kundër saj për një mandat të dytë në krye të vendit janë në PDK dhe AAK. E analistë politikë thonë se presidentja Osmani nuk i meriton edhe pesë vjet në Zyrën e Presidentit.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026. Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Presidentja Osmani ka deklaruar se vendimi për të kandiduar për një mandat të dytë do të merret në fillim të vitit 2026, duke pasur parasysh, sipas saj, interesin e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress, se janë miqësorë dhe e përkrahin Vjosa Osmanin, mirëpo ende nuk kanë diskutuar në parti nëse do t’ia japin mbështetjen asaj edhe për një mandat të dytë.

LVV në vitin 2021 e ka votuar dhe mbështetur Vjosa Osmanin që të bëhet presidente.

E kryetarja e Alternativës, pjesë e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se aktualisht kanë vlera dhe orientim përbashkues me presidenten Vjosa Osmani.

Ajo shton se deri tani në grupin parlamentar është përmendur çështja e zgjedhjes së presidentit, mirëpo zyrtarisht ende nuk kanë filluar diskutimet për emra konkretë.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, është më i rezervuar të komentojë nëse do ta përkrahin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë si presidente.

Ai thotë për KosovaPress, se çështja e presidentit do të vijë shumë shpejt, andaj duhet një marrëveshje politike për ta zgjidhur të njëjtën.

Mirëpo, votë për Vjosa Osmanin presidente nuk do të japin në Partinë Demokratike të Kosovës.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress, se institucioni i presidentit duhet të përfaqësohet më përgjegjshëm sesa është përfaqësuar nga Vjosa Osmani.

Ajo shton se ka pasur pritje më të mëdha nga Osmani, sidomos në raportet me aleatët dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura, por që sipas saj, nuk e ka bërë këtë.

PDK nuk ka votuar për Vjosa Osmanin që të zgjidhet presidente as në vitin 2021.

Kritika më të mëdha për punën aktuale të presidentes Osmani adresojnë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas deputetit, Lahi Brahimaj, presidentja Osmani nuk e ka luajtur rolin e personit unifikues, mirëpo ka qenë, siç thotë ai, vegël e kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurtit.

Për këto arsye, Brahimaj nënvizon se në asnjë rrethanë nuk do të votojnë për presidenten Vjosa Osmani që të marrë edhe një mandat të dytë.

Ndërkaq, analisti politik, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se presidentja Osmani ka ambicie që të rikandidojë për presidente, por që sipas tij, e njëjta nuk e meriton edhe një mandat.

Aktualisht, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, që rrjedh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk është konstituar ende si pasojë e moskompletimit të trupave të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.

Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Të tjera