Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se negociatorët iranianë “duhet të bëhen seriozë shumë shpejt” lidhur me bisedimet me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës “para se të jetë shumë vonë”, teksa afati i vendosur ndaj Teheranit për hapjen e Ngushticës kyç të Hormuzit po afrohet.
“Ata po na ‘luten’ që të arrihet një marrëveshje, gjë që duhet ta bëjnë pasi janë shkatërruar ushtarakisht, kanë zero shans të rimëkëmben, dhe prapë publikisht deklarojnë se thjeshtë po ‘e shohin propozimin tonë’”, shkroi Trump në rrjetet sociale më 26 mars.
Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Irani tha se po shqyrton planin e paqes prej 15 pikash të paraqitur nga SHBA-ja, që thotë se duhet të plotësohen pesë kushte në mënyrë që konflikti të përfundojë.
Detajet e planit amerikan nuk janë bërë publike, por mediat perëndimore kanë raportuar se propozimi përfshin disa nga kërkesat kyç të Uashingtonit që i ka pasur edhe para se të niste konflikti aktual përmes sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.
“Bëjnë mirë që të bëhen seriozë shumë shpejt, para se të jetë shumë vonë, sepse nëse ndodh kjo, nuk ka më kthim prapa dhe nuk do të jetë e bukur”, shtoi Trump.
Përderisa plani raportohet se sugjeron çmontimin e ndërtesave bërthamore të Iranit, kufizimin e aftësive të tij raketore dhe përfundimin e mbështetjes për bashkëpunëtorët rajonalë, gjithashtu besohet se përfhin disa elementë të rinj, sikurse çështjet që ndërlidhen me Ngushticën e Hormuzit, e cila është pothuajse e mbyllur krejtësisht pasi Irani ka goditur disa anije.
Irani ka reaguar ashpër, duke thënë se kushtet amerikane janë të tepruara dhe se lufta do të marrë fund kur ai të vendosë se kur janë plotësuar kushtet e tij. Teherani insiston se ka të drejtë të zhvillojë programin e raketave balistike dhe ka sovranitet mbi Ngushticën e Hormuzit.
Më 26 mars, një zyrtar i lartë iranian i ka thënë Reutersit se Teherani e sheh planin prej 15 pikave si plan që u shërben vetëm interesave të SHBA-së dhe Izraelit, duke e quajtur atë të “njëanshëm dhe të padrejtë”.
Një ditë më parë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se kishte “elementë të vërtetësisë” në raportimet e mediave, por nuk konfirmoi ndonjë detaj.
Ajo gjithashtu sugjeroi se Trump do të konsideronte sulme më të gjera ndaj Iranit nëse Teherani dështon të “kuptojë se është mposhtur ushtarakisht”.
Më 26 mars, Axios citoi dy zyrtarë amerikanë dhe burime të tjera që thanë se ushtria amerikane po përgatit një gamë opsionesh për një “goditje të mundshme finale” kundër Iranit.
Sipas raportimit, skenarët e mundshëm përfshinin një invazion ose bllokadë të ishullit Harg, qendra kryesore e eksportit të naftës së Iranit, si dhe një invazion të ishullit Larak, i cili luan një rol kyç në kontrollin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Si një rrugë kryesore për tranzitin e naftës dhe gazit, Ngushtica e Hormuzit është bërë një çështje qendrore e luftës amerikano‑izraelite me Iranin. Trafiku detar në këtë rrugë – që është një arterie e rëndësishme për furnizimet globale me naftë dhe gaz – është pothuajse i ndalur për shkak të sulmeve iraniane mbi disa anije dhe kërcënimeve të mëtejshme nga Teherani.
Më 21 mars, presidenti Trump vendosi një afat 48-orësh për Iranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit, por më pas e zgjati atë ditën tjetër për pesë ditë të tjera. Afati përfundon më 27 mars.
Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë më 26 mars, Trump tha se besonte se Teherani po kërkonte negociata për shkak të “dhuratës” për SHBA-në, pasi tha se ka lejuar dhjetë cisterna nafte të kalojnë nëpër kornuz.
Teherani ka thënë se anijet nga vendet “joarmiqësore” do të kenë kalim të papenguar përmes Ngushticës së Hormuzit. Zyrtarët nuk kanë specifikuar se cilat vende përfshihen, megjithatë raportohet se anijet nga Malajzia dhe Pakistani janë lejuar të kalojnë.
Ndërkaq, Trump ka shtyrë aleatët e SHBA-së të ndihmojnë në hapjen e këtij rrjeti ujor jetik. Disa vende evropiane thanë se ishin të gatshme të shqyrtonin ndihmën pasi të përfundonte konflikti, ndërsa të tjerat e refuzuan kërkesën, e cila erdhi pa asnjë specifikë.
Më 26 mars, Trump kritikoi aleatët e tij të NATO për mosndihmën ndaj SHBA-së, duke shtuar se “SHBA nuk ka nevojë për asgjë nga NATO.”
“Shtetet e NATO-s nuk kanë bërë absolutisht asgjë për të ndihmuar me këtë komb të çmendur, tani ushtarakisht të shkatërruar, të Iranit”, shkroi ai.
Gjatë një interviste për Fox News fundjavën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se kuptonte zemërimin e Trumpit, duke shtuar se aleanca po synon që të punojë në këtë çështje së bashku me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin.
Gjatë fjalës së tij vjetore më 26 mars, Rutte nuk përmendi Ngushticën e Hormuzit, por paralajmëroi për lidhjet e Iranit me Rusinë.
Ai po ashtu përsëriti se dërgesat e armëve amerikane për Ukrainën, të paguara nga aleatët evropianë të Kievit, janë “kritike”, pasi vëmendja globale ka kaluar në mënyrë të konsiderueshme nga pushtimi rusi i Ukrainës, drejt konfliktit në Lindjen e Mesme./Radio Evropa e Lirë



Të tjera
Aktuale
Një hap larg historisë: Kosova nënshtron Sllovakinë dhe kalon në finale të playoff-it
Kombëtarja e Kosovës ka fituar me
Aktuale
Kosova e shënon edhe golin e katërt
Kosova është me një këmbë në
Aktuale
Muslija me supergol, Kosova në epërsi
Kosova e ka përmbysur rezultatin në