Në Kosovë, ku energjia ka qenë për dekada burim drite, por edhe sëmundjeje e shpërnguljeje, tranzicioni i energjisë nuk mund të matet vetëm me megavatë të rinj, por me jetët që përmirësohen.
Tranzicioni i energjisë nuk është vetëm ndërrim i burimit të energjisë nga qymyri në diell apo erë. Ai është një proces i thellë shoqëror dhe ekonomik që prek mënyrën se si prodhohet energjia, kush përfiton prej saj dhe kush bart kostot e ndryshimit.

Përveç punëtorëve të sektorit të energjisë, tranzicioni përfshin komunitetet që jetojnë pranë termocentraleve, shëndetin publik të ekspozuar për dekada ndaj ndotjes, ekonomitë lokale që varen nga një industri e vetme, si dhe aftësinë e institucioneve për të ndërtuar alternativa reale zhvillimi.
Qeveria, në dokumentet e saj zyrtare, flet për “kalimin gradual drejt energjisë së pastër”, ndërsa komunitetet që jetojnë nën hijen e termocentraleve të KEK-ut e përjetojnë çdo ditë të tashmen me tym, pluhur dhe pasiguri. Midis këtyre dy realiteteve, tranzicioni energjetik mbetet ende më shumë proces në letër sesa transformim i prekshëm.
Këtë hendek mes diskursit institucional dhe realitetit në terren e ilustrojnë edhe të dhënat zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, e cila në Raportin Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2024 konstaton se ndikimi i termocentraleve Kosova A dhe B në cilësinë e ajrit monitorohet përmes një rrjeti prej 13 stacionesh matëse në të gjithë territorin e vendit, me fokus të veçantë në zonat urbane dhe industriale me risk të lartë për shëndetin publik.
Sot, ndërsa vendi flet për tranzicion energjetik, për burime të ripërtëritshme dhe politika të gjelbra, komunitetet që jetojnë në këto zona e ndjejnë më shumë pasigurinë sesa përfitimin. Pyetjet që qëndrojnë pezull janë: çfarë do të ndodhë me ta kur oxhaqet të ndalen së punuari?, por para kësaj a do të ndalen së punuari këto oxhaqe?

Jeta nën hijen e termocentraleve
Në fshatin Hade, vend që dikur kishte më shumë banorë, sot kanë mbetur veç rreth 15 shtëpi të banuara. Shtëpitë tjera janë të braktisura, e krejt çka ka mbetur nga to janë rrënojat si dëshmi që dikur aty jetohej. Fshati Hade dhe fshatrat e tjerë të komunës së Obiliqit janë një pamje jo fort e lakmueshme, një pamje që i përngjan ngjyrës hiri.
Në dokumentet zyrtare të monitorimit, kjo zonë klasifikohet ndryshe. Sipas Raportit Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2024, “Aglomeracioni AKS1”, përfshin zonat urbane dhe industriale më të dendura, ku ndotja e ajrit paraqet risk më të lartë për popullatën.
Avdi Preniqi, një prej banorëve të mbetur aty thotë se askush nuk i ka shpjeguar ndonjëherë asgjë për tranzicionin energjetik dhe përtej kësaj ai ka halle të tjera si banor i kësaj zone.

“Unë nuk di kurrgjë për tranzicionin e energjisë, nuk kam dëgjuar asnjëherë. Krejt kemi mbetë diku 15 shtëpi. Janë shpërngulur për shkak të fëmijëve e shkollimit. Nuk ka shkollë, nuk ka ambulantë, nuk ka market bile. Mbështetje s’kemi marrë nga askush, asnjë premtim. Në vitin 2004 u bë vlerësimi i shtëpive, por kurrgjë s’u bë. Fshati ka mbetur si mos më keq.”
Hade është një metaforë brutale e tranzicionit energjetik në Kosovë, një proces që ekziston në dokumente të qeverisë, por jo në terrenin ku komunitetet kanë jetuar gjithë jetën nën hirin e KEK-ut.
Ragip Grajqevci dikur banonte në fshatin Hade dhe njëkohësisht kishte punuar në KEK për 42 vite.
Ai thotë se tashmë vetëm rreth 15 shtëpi janë të banueshme në këtë fshat, i cili është fare pranë mihjes dhe në kushte normale ish dashtë të shpronësohet.

Nga dokumentet e strategjive te realiteti në terren
Sipas Strategjisë së Energjisë 2022–2031, Kosova ka ndërmarrë disa hapa për t’u përafruar me objektivat e Bashkimit Evropian. Dokumenti parashikon “rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në 32% deri në vitin 2030, uljen e emetimeve me 16% dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë”.
Këtë mospërputhje mes objektivave dhe realitetit e thekson edhe Green Energy Kosova, e cila vlerëson se “Strategjia e Energjisë 2022–2031 është dokumenti më ambicioz energjetik i miratuar ndonjëherë në Kosovë, por zbatimi praktik dhe ritmi real janë dukshëm mbrapa objektivave strategjike.”

Gjithmonë sipas Strategjisë së Energjisë 2022-2031, disa çaqe konkrete afatshkurtra duhej të ishin realizuar deri në vitin 2025, përfshirë funksionimin e plotë të bursës ALPEX, vendosjen e skemave të mbështetjes për konsumatorët në nevojë dhe përgatitjet për caktimin e çmimit të karbonit. Megjithatë, monitorimet e pavarura dhe mungesa e të dhënave të qarta zyrtare sugjerojnë se këto hapa kyç ende nuk janë përmbushur plotësisht, duke reflektuar një ritëm zbatim më të ngadaltë sesa caktohet në planin strategjik.
Ministria e Ekonomisë, në përgjigjet e saj, thekson se janë miratuar ligjet bazë për energjinë, si dhe Ligji për promovimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, ndërsa është përgatitur edhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP) 2025–2030.
Në praktikë, Ministria përmend projekte konkrete: “Është përmbyllur ankandi i parë për 100 MW solare fotovoltaike dhe ka nisur procesi për 150 MW kapacitete të erës. Një ndër projektet kryesore është Solar4Kosovo, i cili përfshin dy komponentë: (i) një sistem solar termal prej rreth 70 MWth për Termokos në Prishtinë, që synon furnizim me ngrohje nga burimet solare dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, i financuar nga KfW dhe WBIF; dhe (ii) një park fotovoltaik prej 100 MWp për KEK në Obiliq, i vendosur në tokat e degraduara të ish-deponive të hirit, me mbështetje nga EIB dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.”
Këto, sipas ministrisë, janë dëshmi se “Kosova po ecën në mënyrë graduale drejt objektivave të BE-së për tranzicionin e gjelbër.”

Një nga elementet kyçe të tranzicionit energjetik, që përmendet në Strategjinë e Energjisë 2022–2031, por që ende nuk është zbatuar në praktikë, është vendosja e çmimit të karbonit. Dokumentet strategjike parashohin përgatitjen e një sistemi gradual të çmimit të karbonit, i cili do të harmonizohej me tregun evropian të emetimeve (EU ETS), me nivele orientuese që në fazat e hershme përmenden rreth 30–35 euro për ton CO₂, për t’u rritur gradualisht drejt niveleve evropiane.
Megjithatë, deri më sot, Kosova nuk ka një taksë apo sistem funksional të çmimit të karbonit në fuqi. Kjo do të thotë se ndotja nga sektori i energjisë ende nuk reflektohet në kosto reale ekonomike për prodhuesit vendorë, ndërkohë që përmes mekanizmave të Bashkimit Evropian, si CBAM, ky çmim po aplikohet indirekt mbi eksportet, duke e ekspozuar vendin ndaj rreziqeve ekonomike pa pasur ende një politikë të brendshme të përgatitur.
Green Energy Kosova, në përgjigjet dhe komentet e tyre, vlerësojnë se ankandi për 100 MW fotovoltaik përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe tregoi interes nga investitorët, por theksojnë se mungesa e ankandeve të rregullta për
energjinë e erës dhe e cikleve të vazhdueshme vjetore e kufizon ndikimin e këtij mekanizmi.
Në letër, duket se shumë po ndodh.
Por në terren investimet ende nuk janë shndërruar në kapacitete funksionale. E pyetur për planin për punëtorët e KEK-ut, ministria deklaron shkurt se “kjo çështje bie në domenin e vet ndërmarrjes KEK.”
Megjithatë, në nivel ligjor, Kosova pretendon një shkallë të lartë harmonizimi me Bashkimin Evropian. Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja Nr. 08/L-025 konsiderohet ligji bazë për këtë fushë dhe është i përafruar me direktivat kryesore të BE-së për cilësinë e ajrit dhe emisionet industriale. Pavarësisht kësaj, dimensioni social i tranzicionit – veçanërisht fati i punëtorëve të KEK-ut – mbetet jashtë çdo plani konkret.

Këtë boshllëk e konfirmon edhe Green Energy Kosova, e cila thekson se “nuk kemi ende as plan social, as plan ekonomik për punëtorët e KEK-ut dhe komunitetet përreth.”
Në disa rajone të Rumanisë dhe Bullgarisë tranzicioni energjetik ka sjellë pasoja të ashpra sociale, pasi mbyllja e minierave ka ndodhur pa plane pune për punëtorët, pa mbështetje financiare për familjet, dhe pa projektet alternative të zhvillimit. Raportet e BE-së paralajmërojnë se tranzicioni i paorganizuar mund të çojë në papunësi masive, varfëri të thelluar, emigrim dhe braktisje të zonave të tëra industriale.
Këto përvoja tregojnë se modeli i heqjes së qymyrit e “pastaj shohim” është një dështim i sigurt dhe rreziku është i njëjtë edhe për Obiliqin nëse institucionet nuk hartojnë një plan të qartë social e ekonomik.
Banka Botërore thekson se tranzicioni energjetik bëhet i suksesshëm kur kombinohen tre elemente: ri-aftësimi i punëtorëve, investimet e drejtuara në ekonomi lokale, dhe përfshirja e komuniteteve në vendimmarrje. Sipas bankës, mbyllja e kapaciteteve të qymyrit pa këto masa sjell destabilizim financiar dhe tensione sociale. Ky është një paralajmërim i drejtpërdrejtë për vendet që ende nuk kanë filluar planifikimin si Kosova, ku punëtorët e KEK-ut deklarojnë se nuk janë të informuar dhe se nuk ekziston plan i qartë për të ardhmen e tyre.
Ragip Grajqevci prijës i xehetarisë, thotë së për tranzicionin nuk u diskutua në ambientet e KEK-ut dhe se me punëtorët e përfaqësuesit nuk pati një tryezë debati.
“Unë kam dëgjuar përmes një OJQ-je në lidhje me trancizionin që është përmendur por punëtoret e KEK-ut nuk janë të informuar as nga menaxhmenti, as nga qeveria. Për aq sa kam dëgjuar, nëse ndodh një trancizion i tillë, duhet të kihet parasysh që janë një numër i madh i punëtorëve në KEK për të cilët duhet të mendojë dikush, këtu punojnë mbi 4000 punëtorë.”

Boshllëku social në tranzicion
UNDP, përmes projektit “Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër”, përpiqet të mbushë pikërisht këtë boshllëk social. Projekti synon “adresimin e pabarazive shoqërore duke ofruar mbështetje për popullatën e cenueshme, veçanërisht gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet jo-shumicë.”
Në dokumentin e tyre, UNDP flet për “ndërhyrje që do të përqendrohen në grupet e cenueshme” dhe për forcimin e aftësive lokale për energji të pastër. Por për momentin, këto janë më shumë programe ndihmëse sesa pjesë e një strategjie të madhe kombëtare për “tranzicion të drejtë”.
Në Komunën e Obiliqit thonë së tranzicioni nuk po përkthehet në zhvillim lokal.
“Zona industriale ka kufizuar shumë fusha, si në biznese, ashtu edhe në ekonomitë familjare,” thuhet në përgjigjen zyrtare të komunës.
Për dekada, banorët e Obiliqit kanë jetuar me pasojat mjedisore të termocentraleve, ndërsa shumë banorë janë detyruar të emigrojnë drejt Prishtinës. Edhe pse komuna ka nisur projekte të vogla për energjinë e ripërtëritshme, panele diellore në objekte publike dhe programe për efiçiencë, ajo pranon se “rreziku social mbetet i lartë” nëse nuk ka masa për punëtorët e KEK-ut.
“Kërkesa themelore mbetet respektimi i Ligjit për Obiliqin, që e trajton këtë zonë me kujdes të veçantë për shkak të mjedisit dhe shëndetit. Po ashtu kërkojmë punësim të barabartë për banorët tanë, duke ditur dëmin që na shkaktohet nga termocentralet”, thonë nga Komuna e Obiliqit.
Për zhvendosjen e banorëve, nga Komuna e Obiliqit kanë thënë se është menaxhuar nga Ministria.
“Procesi është menaxhuar nga Ministria, ndërsa ne kemi asistuar me dokumentacion. Në rastin e Sibocit kemi ndihmuar për zhvendosjen e varrezave dhe sigurimin e parcelës së re.”
Banorët e Obiliqit e përjetojnë tranzicionin si premtim të pambërritur dhe njëkohësisht si rrezik për humbje të sigurive të pakta që kanë.



Të tjera
Uncategorized
Shambala Casino Bonus Fără Depunere 2025 . RO Spin & Win
bonus fără depunere jeetcity Pentru strategie
Uncategorized
75 USD Jetoane Gratuite Fără Depunere La Cazinoul Supernova — în România Start Winning
Coduri De Cipuri Gratuite Slotland Fără
Uncategorized
Gunsbet Casino Inloggen — NL Unlock Offer
Filippinó színész haszon elérhető helyi érzéstelenítő