Thellohet deficiti tregtar, eksporti mbulon importin me vetëm 12.7 për qind

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 16.2% në muajin korrik 2025, në krahasim me priudhën e njëjtë të vitit paraprak, gjegjësisht në vlerë prej 576,4 milionë euro krahasuar me deficitin 495,9 milionë euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me vetëm 12.7%.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) eksporti i mallrave në muajin korrik 2025 kishte vlerën 83,8 milion euro, ndërsa importi 660,2 milion euro, e që është një rënje prej -2.4% për eksport dhe një rritje prej 13.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit e përbëjnë: 21.7% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (14.2%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (12.5%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (8.5%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (7.4%) produktet minerale, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import e përbëjnë: (13.1%) produktet minerale, (13.1%) mjetet e transportit, (13.0%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (12.0%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (8.8%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28,8 milion euro, ose rreth (34.3%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (8.9%). Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania (10.5%), Holanda (3.8%), Italia (3.5%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 283,1 milion euro, ose (42.9%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (4.5%). Importet me pjesmarje me të lartë ishin nga: Gjermania (14.1%), Italia (4.8%), Polonia (3.8%), etj.

Në muajin Korrik 2025, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 39,5 milion euro, ose (47.1%) të eksporteve të përgjithshme, me një rënje prej (-12.4%).

Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria (18.0%), Maqedonia e Veriut (14.7%), Serbia (7.2%), Mali i zi (5.3%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2025, arritën në 79,6 milion euro, ose (12,1%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (19.4%). Vendet me pjesmarje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4.2%), Shqipëria (3.7%), Serbia (3.1%).

Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 15,6 milion euro, ose (18.6%).

Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën: Zvicra (8.3%) dhe Turqia (2.4%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 297,5 milion euro, ose (45.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14.5%) dhe Turqia (12.7%). Për më tepër të dhënat janë të paraqitura në formë tabelore në vazhdim

Të tjera