Takimi i parë Bislimi–Sørensen: Kosova kërkon zbatim të marrëveshjeve nga Serbia

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi sot një takim bilateral në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

Ky ishte takimi i parë zyrtar midis dy zyrtarëve që nga emërimi i Sørensen në këtë pozitë.

Pas takimit, z. Bislimi u prononcua për mediat, ku theksoi se bisedimet ishin të fokusuara në qasjen e re të përfaqësuesit evropian në fazat e ardhshme të dialogut, përfshirë edhe takimet në nivel të kryenegociatorëve dhe ato të nivelit të lartë nën udhëheqjen e znj. Kallas.

Në takim, pala kosovare ngriti një sërë çështjesh që kërkojnë trajtim urgjent nga ana e BE-së dhe Serbisë, përfshirë:

Mungesat në menaxhimin e integruar të kufirit nga ana e Serbisë, veçanërisht në tri pika kufitare që nuk janë funksionalizuar sipas marrëveshjeve;

Propozimin për hapjen e pikave sezonale në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë për të lehtësuar qarkullimin gjatë periudhave me fluks të madh të mërgimtarëve;

Pengesat në njohjen e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe bllokadat ndaj produkteve kosovare;

Moszbatimin e marrëveshjes për energjinë, që po shkakton humbje të mëdha ekonomike për Kosovën për shkak të mosfunksionalizimit të linjave të interkoneksionit me Serbinë;

Bllokimin e ndihmave për fermerët shqiptarë në Luginën e Preshevës, përmes ngrirjes së llogarive bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga autoritetet serbe;

Fushatat e dezinformimit të ndërmarra nga Serbia, të cilat, sipas Bislimit, synojnë manipulimin e opinionit ndërkombëtar dhe presionin ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Zëvendëskryeministri gjithashtu bëri të ditur se një takim trilateral i planifikuar nuk është mbajtur për shkak të vonesave të delegacionit serb në Vjenë.

I pyetur për ndikimin e situatës së krijuar në Kosovë, të cilën disa diplomatë e cilësojnë si “vakum institucional”, në procesin e dialogut, Bislimi pranoi se ka vështirësi, por theksoi se Kosova nuk duhet të humbë mundësitë për përparim, pavarësisht sfidave të brendshme.

Të tjera

Uncategorized

MUP’i serb thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar në Merdare

Ministria e Brendshme e Serbisë, ka

Uncategorized

Nisma Socialdemokrate shkon e vetme në zgjedhje

Nisma Socialdemokrate ka konfirmuar pjesëmarrjen e

Uncategorized

Zjarri kaplon një autobus në Skënderaj

Një autobus është kapluar nga zjarri