Kur truprojat dhe shoferët shumë të trajnuar e besnikë të zyrtarëve të lartë iranianë erdhën në punë, pranë Rrugës Pasteur në Teheran — ku Ajatollah Ali Khamenei u vra në një sulm ajror izraelit të shtunën — izraelitët po i vëzhgonin.
Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në Teheran ishin hakuar prej vitesh; pamjet e tyre ishin të enkriptuara dhe transmetoheshin në serverë në Tel Aviv dhe në jug të Izraelit, sipas dy personave që ishin në dijeni të këtij fakti, shkruan “Financial Times”.
“Njëra nga kamerat kishte një kënd veçanërisht të dobishëm”, tha njëri prej tyre, duke treguar se kjo i lejonte ata të përcaktonin se ku këta persona pëlqenin të parkonin makinat e tyre personale dhe duke ofruar një dritare për të parë funksionimin e një pjese të zakonshme të kompleksit të ruajtur rreptësishtë.
Algoritme komplekse shtonin detaje në dosjet për anëtarët e këtyre rojeve të sigurisë, që përfshinin adresat e tyre, oraret e punës, rrugët që merrnin për të shkuar në punë dhe, më e rëndësishmja, se kë zakonisht ishin të caktuar të mbronin dhe të transportonin — duke ndërtuar atë që oficerët e inteligjencës e quajnë “model jete”
Këto aftësi ishin pjesë e një fushate shumëvjeçare të inteligjencës që ndihmoi në përgatitjen e terrenit për vrasjen e Ajatollahut. Ky burim i të dhënave në kohë reale — një nga qindra rrjedha të ndryshme informacioni inteligjent — nuk ishte mënyra e vetme me të cilën Izraeli dhe CIA arritën të përcaktonin saktësisht se në çfarë ore Khamenei, 86-vjeçar, do të ishte në zyrën e tij atë mëngjes të së shtunës dhe kush do të ishte me të.
Po ashtu, një faktor tjetër ishte se Izraeli arriti të ndërpresë funksionimin e disa komponentëve të më shumë se 10 kullave të telefonisë mobile pranë Rrugës Pasteur, duke bërë që telefonat të dukeshin sikur ishin të zënë kur thirreshin dhe duke penguar ekipin e mbrojtjes së Khameneit të merrte paralajmërime të mundshme.
“Shumë kohë përpara se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin siç njohim Jerusalemin”, tha një zyrtar aktual i inteligjencës izraelite, shkruan “Financial Times”. “Dhe kur e njeh një vend aq mirë sa rrugën ku je rritur, vëren menjëherë edhe gjënë më të vogël që nuk është në vendin e saj.”
Pamja e dendur e inteligjencës mbi kryeqytetin e armikut të betuar ishte rezultat i një mbledhjeje të mundimshme të të dhënave, e mundësuar nga njësia e avancuar e inteligjencës së sinjaleve të Izraelit, Unit 8200, nga burimet njerëzore të rekrutuara nga agjencia e inteligjencës së jashtme Mossad dhe nga grumbulli i madh i të dhënave që inteligjenca ushtarake përpunonte në raporte të përditshme.
“Izraeli përdori një metodë matematikore të njohur si analiza e rrjeteve sociale për të analizuar miliarda pika të dhënash, për të zbuluar qendra të papritura të vendimmarrjes dhe për të identifikuar objektiva të rinj për t’u vëzhguar dhe vrarë”, tha një person i njohur me përdorimin e saj. “E gjithë kjo ushqente një linjë prodhimi me një produkt të vetëm: objektiva”.
“Në kulturën e inteligjencës izraelite, inteligjenca për objektivizim është çështja taktike më thelbësore — ajo është projektuar për të mundësuar një strategji,” tha Itai Shapira, gjeneral brigade në rezervë në ushtrinë izraelite dhe veteran 25-vjeçar i drejtorisë së saj të inteligjencës. “Nëse vendimmarrësi vendos se dikush duhet të eliminohet, kultura në Izrael është: ‘Ne do ta sigurojmë inteligjencën për objektivin’.”
Izraeli ka vrarë qindra njerëz jashtë vendit, përfshirë liderë militantë, shkencëtarë bërthamorë dhe inxhinierë kimikë — e po ashtu, edhe shumë civilë të pafajshëm gjatë procesit.
Epërsia e inteligjencës së vendit u shfaq qartë në luftën 12-ditore qershorin e kaluar, kur më shumë se dhjetë shkencëtarë bërthamorë iranianë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë u vranë brenda pak minutash në një valë fillestare sulmesh.
Kjo u shoqërua me paralizimin e paprecedentë të mbrojtjes ajrore të Iranit përmes një kombinimi të sulmeve kibernetike, dronëve me rreze të shkurtër dhe municioneve precize të lëshuara nga jashtë kufijve të Iranit, duke shkatërruar radarët e sistemeve raketore të ndërtuara nga Rusia.
“Ne ua morëm sytë së pari,” tha një zyrtar i inteligjencës.
Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë përdorën një lloj të veçantë rakete të quajtur Sparroë, variantet e së cilës mund të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë ngrënieje nga më shumë se 1,000 km larg — shumë larg Iranit dhe jashtë rrezes së sistemeve të tij të mbrojtjes ajrore.
Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike për të mbrojtur burimet dhe metodat që ende përdoren për të gjurmuar objektiva të tjerë.
Por vrasja e Khameneit ishte një vendim politik, jo thjesht një arritje teknologjike, thanë disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të inteligjencës izraelite, të intervistuar për këtë histori.Kur CIA dhe Izraeli përcaktuan se Khamenei do të mbante një takim të shtunën në mëngjes, në zyrat e tij pranë Rrugës Pasteur, mundësia për ta vrarë atë bashkë me një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë iraniane u konsiderua veçanërisht e favorshme.
Ata vlerësuan se ndjekja e tyre, pasi lufta të kishte filluar plotësisht, do të ishte shumë më e vështirë, pasi iranianët do të fillonin shpejt praktika shmangëse, përfshirë zhvendosjen në bunkerë nëntokësorë të paprekshëm nga bombat izraelite.
Khamenei, ndryshe nga aleati i tij, lideri i Hizbollahut Hassan Nasrallah, nuk jetonte i fshehur. Nasrallah kishte kaluar vite në bunkerë nëntokësorë duke shmangur disa tentativa izraelite për ta vrarë deri në shtator 2024, kur avionët luftarakë izraelitë hodhën deri në 80 bomba mbi strehimin e tij në Bejrut.
Në vend të kësaj, Khamenei kishte folur publikisht për mundësinë e vrasjes së tij, duke e minimizuar jetën e vet si të parëndësishme për fatin e Republikës Islamike — madje disa ekspertë të Iranit thanë se ai priste të bëhej martir.
Megjithatë gjatë kohës së luftës, sipas një personi të e intervistuar, ai mori disa masa paraprake. “Ishte e pazakontë që ai të mos ishte në bunker — ai kishte dy bunkerë — dhe nëse do të kishte qenë aty, Izraeli nuk do të mund ta arrinte atë kurrë me bombat që ka,” tha ai.
Edhe në qershor 2025, gjatë një lufte të plotë, Izraeli nuk bëri përpjekje të njohura për ta bombarduar Khamenein. Në vend të kësaj, kishte shënjestruar kryesisht udhëheqjen e Gardës Revolucionare Islamike, lëshues raketash, depo armësh dhe objektet bërthamore të Iranit.
Ndërkohë që Donald Trump kishte kërcënuar vazhdimisht të sulmonte Iranin në javët e fundit, duke grumbulluar një “armadë” pranë brigjeve të Republikës Islamike, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor pritej të vazhdonin këtë javë.
Omani, shtet ky ndërmjetës në këto bisedime, tha se Irani ishte i gatshëm të bënte lëshime që mund të ndihmonin në shmangien e luftës dhe e përshkroi takimin e fundit të së enjtes si produktiv.
Publikisht, presidenti amerikan u ankua se gjërat po ecnin shumë ngadalë. Por një person i njohur me çështjen tha se Trump ishte “i pakënaqur me përgjigjet iraniane”, duke hapur rrugën për luftë.Një tjetër person i informuar për situatën tha se sulmi ndaj Iranit ishte planifikuar prej muajsh, por zyrtarët e përshtatën operacionin pasi inteligjenca amerikane dhe izraelite konfirmoi se Khamenei dhe zyrtarët e tij të lartë do të takoheshin në kompleksin e tij në Teheran të shtunën në mëngjes.
Gjurmimi i objektivave individualë dikur kërkonte shumë punë, duke kërkuar konfirmime vizuale dhe analizë të konfirmimeve të rreme, por mbledhja masive e të dhënave e drejtuar nga algoritmet e inteligjencës izraelite, e ka automatizuar këtë proces në vitet e fundit.
Megjithatë, për një objektiv kaq të rëndësishëm sa Khamenei, dështimi nuk ishte një opsion. Doktrina ushtarake izraelite kërkon që dy oficerë të lartë të veçantë, duke punuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, të konfirmojnë me siguri të lartë se objektivi ndodhet në vendin që do të sulmohet dhe se kush ndodhet me të.
Në këtë rast, sipas dy personave të njohur me çështjen, inteligjenca izraelite kishte informacion nga inteligjenca e sinjaleve, si kamerat e hakuara të trafikut dhe rrjetet e telefonisë mobile të depërtuara thellë.
Por amerikanët kishin diçka edhe më konkrete — një burim njerëzor, thanë të dy personat e njohur me situatën. CIA refuzoi të komentojë në lidhje me këtë.
Në orën 15:38 sipas kohës lindore të SHBA-së të premten, Trump, duke udhëtuar me avionin presidencial Air Force One drejt Teksasit, dha urdhrin për të vazhduar me Operacionin Epic Fury — emër kodues ky që u zgjodh për sulmet e udhëhequra nga SHBA kundër Iranit.Ushtria amerikane hapi rrugën për avionët luftarakë izraelitë për të bombarduar kompleksin e Khameneit, duke nisur sulme kibernetike që “çrregulluan, dobësuan dhe verbuan aftësinë e Iranit për të parë, komunikuar dhe reaguar”, sipas gjeneralit Dan Caine, udhëheqës i mekanizmit më të lartë ushtarak në Amerikë – shefat e përbashkët të shtabit.
Ai tha se sulmi ndaj kompleksit ndodhi gjatë ditës bazuar në një “ngjarje nxitëse” që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit arritën ta realizonin me ndihmën e inteligjencës amerikane.
Avionët izraelitë, që kishin fluturuar për orë të tëra për të mbërritur në kohën e duhur në vendin e duhur, lëshuan deri në 30 municione precize mbi kompleksin e Khameneit, tha një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite.Nga ushtria izraelite thanë se goditja gjatë ditës ofroi një avantazh. “Vendimi për të goditur në mëngjes dhe jo natën i lejoi Izraelit të arrijë surprizë taktike për herë të dytë, pavarësisht përgatitjes së madhe iraniane”
“Suksesi taktik ishte kulmi i dy ngjarjeve të veçanta, më shumë se 20 vjet larg njëra-tjetrës”, tha Sima Shine, një ish-zyrtare e Mossadit e specializuar për Iranin.
E para ishte një direktivë e dhënë në vitin 2001 nga ish-kryeministri Ariel Sharon për Meir Dagan, atëherë kreu i Mossadit — që deri atëherë ishte i fokusuar te Siria, militantët palestinezë dhe Hizbollahu — për ta bërë Iranin prioritet.‘Të gjitha gjërat që po bën Mossadi janë në rregull”, i tha Sharon Daganit, sipas Shine. “‘Por ajo që më duhet është Irani. Ky është objektivi yt.’”
“Dhe që atëherë, ky ka qenë objektivi,” tha ajo.
Por agjencitë e inteligjencës iraniane ishin kundërshtarë të fortë.
Në vitin 2022, një grup i lidhur me shërbimet e sigurisë iraniane publikoi të dhëna që pretendohej se ishin marrë nga telefoni i gruas së shefit të Mossadit.
Irani gjithashtu hakoi kamerat CCTV në Jerusalem gjatë luftës së vitit 2025, për të marrë vlerësime në kohë reale të dëmeve që izraelitët kishin censuruar nga transmetimet; bleu fotografi të sistemeve të mbrojtjes raketore; madje hartoi edhe rrugën e vrapimit të një politikani të rëndësishëm duke korruptuar qytetarë izraelitë, sipas prokurorëve izraelitë.
Ngjarja e dytë, shtoi Shine, ishte sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023, që Izraeli thotë se u mbështet nga Irani dhe që ndryshoi një “hesap” të kahershme në Izrael: edhe pse kishte depërtuar në rrethet e disa krerëve të shteteve armike, vrasja e tyre konsiderohej e ndaluar edhe në kohë lufte.
Vrasja e liderëve të huaj nuk është vetëm tabu, por edhe operacionalisht e rrezikshme. Dështimi mund të rrisë prestigjin e tyre, siç ndodhi pas përpjekjeve të shumta të dështuara të CIA-s për të vrarë Fidel Castron.
Por, sipas Shine, seria e sukseseve të inteligjencës izraelite — përfshirë vrasjen në vitin 2024 të liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe një projekt sekret shumëvjeçar prej 300 milionë dollarësh për të sabotuar mijëra pagera dhe radio të Hizbollahut — ka edhe fuqinë e vet joshëse.
“Në hebraisht themi: ‘Me ushqimin vjen edhe oreksi’,” tha ajo. “Me fjalë të tjera, sa më shumë të kesh, aq më shumë dëshiron.” /KosovaPress



Të tjera
Aktuale
Çështja e presidentit, raportohet se Kurti sot sërish takon Hamzën e Abdixhikun
Edhe pak orë kanë mbetur deri
Ekskluzive Lajme
Si u vra Khamenei – FT sjell detaje të rralla të operacionit sekret për kryeatentatin politik në Iran
Kur truprojat dhe shoferët shumë të
Lajme Opinione
Krasniqi: Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje, bota po përballet me luftë shkatërrimtare
Analisti Milazim Krasniqi ka vlerësuar së