E gjithë vëmendja tek fushata zgjedhore, kështu 11 komuna sipas drejtorit të Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK), Sazan Ibrahmi nuk kanë miratuar buxhetin. Këto vonesa do të mund shkaktojnë pasoja të mëdha.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi tha se duke parë sfidat me të cilat do të ballafaqohen kanë bërë një kërkesë në Ministrinë e Financave.
“Komunat e Kosovës nga aspekti ligjor është dashur që deri më 30 shtator t’i miratojnë buxhetet e tyre komunale, mirëpo 11 komuna nuk kanë arritur që brenda asaj periudhe kohore t’i miratojnë projektbuxhetet komunale në komunat e tyre përkatëse. Mirëpo në anën tjetër mund t’i aprovojnë buxhetet e tyre komunale derisa të mbahet seanca e Parlamentit të Kosovës ku do të diskutohet dhe miratohet buxheti i tërësishëm i Kosovës. Ne si asociacion i kemi parë këto sfida, për këtë arsye iu kemi drejtuar Ministrisë së Financave me një kërkesë që t’ua mundësojnë komunave që buxhetet e tyre komunale t’i miratojnë pas zgjedhjeve komunale, sepse na ra që në shtator ta kemi fushatën parazgjedhore dhe në fund të shtatorit është dashur që komuna të miratojë buxhetet e tyre komunale”, ka deklaruar Ibrahimi.
Mirëpo Ibrahani thotë se nga niveli qendror nuk morën përgjigje.
“Duke marrë parasysh që të gjithë kryetarët e komunave, shumica absolute e ish-anëtarëve të kuvendeve komunale, ish-drejtorëve komunalë kanë qenë në fushatë zgjedhore, atëherë prioriteti nuk ka rënë në miratimin e buxhetit të komunave. Në anën tjetër, duke marrë parasysh që institucionet zgjedhore ende nuk janë funksionale, atëherë komunat e kanë mundësinë që t’i miratojnë buxhetet e tyre komunale me kuvendet e reja të dala pas zgjedhjeve të fundit lokale, mirëpo do të bie në diskrecion të Parlamentit të Kosovës, e kurdo që e mban seancën për buxhetin e Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh buxhetet komunale të cilat miratohen me vonesë, ne i kemi paraparë këto vështirësi, mirëpo niveli qendror nuk e ka parë të rrugës që të kthejë një përgjigje apo, duke marrë parasysh kërkesat e komunave drejtuar nivelit qendror. Tani, nëse situata politike në nivel vendi është siç është, do të thotë pa funksionim të nivelit qendror, buxheti i Kosovës në këtë situatë nuk e di si do të miratohet. Kur të miratohet buxheti i Kosovës, normalisht që miratohet edhe buxheti i komunave. Ne po shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur të funksionalizohen institucionet e nivelit qendror në mënyrë që edhe komunat e Kosovës të mos mbesin pa buxhet”, shtoi ai.
Ibrahimi ka paralajmëruar se në mungesë të miratikit të buxheteve, vendi mund të përballet me kolaps financiar.
“Ne si Asociacion, kurdo që kemi mundësi gjatë amandamenteve të ligjeve, do të kërkojmë që nëse situata është e njëjtë si e këtij viti, atëherë t’u mundësohet komunave që pas zgjedhjeve lokale të fundit t’i miratojnë buxhetet e tyre komunale, në mënyrë që kryetarët e zgjedhur pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe anëtarët e kuvendeve komunale të diskutojnë, të debatojnë e ta miratojnë buxhetin e komunës dhe me atë buxhet të punojnë vitin e ardhshëm. Kjo është më mirë sesa ashtu siç ka ndodhur këtë vit, që në shtator të kemi fushatë por edhe afatet ligjore për miratimin e buxheteve komunale. Nëse nuk kemi buxhet të Kosovës, atëherë normal që nuk do të ketë investime; nëse nuk miratohen afatet ligjore, i gjithë shërbimi civil në nivel vendi do të mbetet pa paga, pensionerët pa pensione, rastet sociale pa përkrahje sociale. Në bazë të legjislacionit në fuqi, nëse nuk i përmbahen afateve ligjore të përcaktuara me Ligjin e Financave Publike, atëherë shteti ynë do të jetë në një kolaps financiar komplet”, theksoi ai.



Të tjera
Aktuale
Dokument: Kushërinjtë e Faton Pecit përfituan grante qindra mijëra euro nga ministria e tij
Grantet e Ministrisë së Bujqësisë e
Aktuale
Jasharaj: Për ngërçin politik Vetëvendosja i ka fajet, po rrezikohen pagat e sektorit publik
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman
Sport
Basketbolli kosovar në zi, vdes Arben Fondaj
Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli