Rezultati zhgënjyes i LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk është aksident elektoral. Ai është produkt i një procesi të gjatë degradimi politik, për të cilin përgjegjësia kryesore, madje ekskluzive – bie mbi periudhën e udhëheqjes nga Isa Mustafa dhe mbi të personalisht.
Isa Mustafa nuk e dëmtoi LDK-në vetëm përmes humbjeve zgjedhore, por edhe përmes ndërtimit të një kulture politike arrogante dhe përjashtuese. Deklaratat e tij të mirënjohura publike, si ato se zgjedhjet do t’i fitonte “me duar në xhepa” apo se “nuk është votuesi (populli) ai që vendos se kush e udhëheq shtetin”, nuk ishin lapsuse momentale. Përmes tyre ai shprehte një filozofi pushteti që e zhvlerësonte legjitimitetin qytetar me kontrollin e strukturave partiake. Kjo mendësi e shkëputi LDK-në nga elektorati i saj tradicional dhe e shndërroi partinë nga një subjekt politik me identitet në aparat të mbyllur (frymë komuniste të trashëguar me elemente servilizmi) ku mendimi ndryshe shihej si rrezik dhe jo si vlerë. Që nga ajo periudhë, LDK pushoi së prodhuari liderë dhe nisi të prodhojë vetëm pasardhës mediokër.
Kulmi i këtij degradimi u pa në vitin 2021, kur votat masive të Vjosa Osmanit u eksploatuan dhe dobishmëria e tyre u shfrytëzua në mënyrë hileqare, pa reflektim dhe pa reformë të brendshme. Ky veprim u perceptua gjerësisht si eksploatim politik dhe shënoi ndarjen përfundimtare më të madhe mes LDK-së dhe një pjese të rëndësishme të elektoratit të saj, pas asaj të stupcave dhe të karrigave!
Lumir Abdixhiku nuk e krijoi këtë model, por nuk u shkëput prej tij. Ai trashëgoi një parti të konsumuar, një LDK që degradonte në vazhdimësi, pa pasur guximin për përmbysjen e domosdoshme të vijës strategjike të Isa Mustafës, të destinuar për dështim.
Sot realiteti është i ashpër! Brenda LDK-së nuk ekziston asnjë figurë me potencial ringritës. Dorëheqja e Abdixhikut rrezikon konflikt të brendshëm dhe rrëshqitje drejt kolapsit gradual.
Në këtë situatë, vetëm një figurë do të kishte efekt real transformues: Vjosa Osmani – për shkak të legjitimitetit qytetar, autoritetit moral dhe distancës nga trashëgimia që e shkatërroi LDK-në. Pa një rikthim eventual të saj (ëndërr e dëshirar e LDK-së) pas mandatit presidencial, definitivisht kjo parti mbetet pa bosht politik.
Alternativë tjetër konkrete për një zgjidhje tranzicioni me një figurë të distancuar nga aparati aktual, pa barrë të së kaluarës, me kredibilitet publik dhe mandat të qartë për stabilizim, jo për ringritje elektorale, mund vetëm të imagjinohet!
Përfundimi është i qartë dhe i pashmangshëm: LDK-ja sot po e paguan çmimin e një udhëheqjeje arrogante dhe përjashtuese të ndërtuar nga Isa Mustafa.
Pa shkëputje totale nga kjo trashëgimi, LDK rrezikon të humbasë jo vetëm zgjedhjet, por edhe arsyen e ekzistencës së saj politike, kuptohet nëse diku brenda saj Isa Mustafa i ka vënë etiketën: Solidarnost!



Të tjera
Aktuale
Vdes ish-ministri i Financave
Ka vdekur në moshën 75-vjeçare, Ali
Aktuale
Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore
Kuota gjinore i ka lënë pa
Aktuale
Abdixhiku: Shtëpia nuk goditet e braktiset në ditët më të vështira
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,