Rasti i Thaçit dhe tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë, Prokuroria, mbrojtja dhe Administratorja- janë urdhëruar që të rishikojnë parashtrimet që deri tani janë klasifikuar si konfidenciale.

Sipas zëdhënëses së DhSK-së, Angela Griep, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot më 10 tetor i ka urdhëruar palët që të tregojnë se pse këto parashtrime duhet të mbesin konfidenciale ose të kërkojnë riklasifikimin e tyre si publik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Një opsion tjetër, Masselot ka kërkuar që në rast se dokumentet nuk mund të bëhen krejtësisht publike, nëse është mundësia të dorëzohen në versione të redaktuara publike.

“Gjithashtu, ajo ftoi palët dhe Administratoren të bashkërendojnë mes tyre, nëse është e nevojshme, për të siguruar përputhje në redaktimet që do të zbatohen në parashtrimet përkatëse”, tha Griep në konferencën javore të DhSK-së.

Përveç kësaj, Masselot sipas Griep, ka vënë në dukje se procedura paraprake në këtë rast është në përfundim si dhe nga mesi i nëntorit pritet që çështja t’i kalojë trupit gjykues.

Por, kjo mund të ndryshojë varësisht prej vendimeve të Apelit që për pasojë mund të kenë përshtatjen e afatit.

“Për të përgatitur kalimin e çështjes dhe duke mbajtur parasysh parimin që procedurat të jenë publike, gjykatësja e procedurës paraprake e gjykoi të nevojshme që të bëhet rishikimi i klasifikimit të parashtrimeve”, tha Griep.

Ndryshe, zëdhënësja tregoi se është rrëzuar një kërkesë e Prokurorisë e cila kishte kërkuar masa shtesë në paraburgimin ndaj Hashim Thaçit, duke kërkuar ndalim të vizitave për disa persona dhe të mos flitet për asnjërën nga rastet me vizitoret e paprivilegjuar në rastin për krime lufte.

Në anën tjetër, ajo gjithashtu tregoi se i është vazhduar paraburgimi Thaçit edhe për dy muaj të tjerë. Për të dy rastet e fundit ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Të tjera