Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur të lirojë nga paraburgimi pesë zyrtarët policorë që po hetohen për vrasjen nga pakujdesia të të ndjerit Agon Zejnullahut.
Të pandehurit Ibrahim Nela, Albion Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri do të mbrohen në liri, pasi Apeli e vlerësoi se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale – baza e vetme mbi të cilën ishte vendosur masa e paraburgimit.
Në aktvendimin e datës 31 korrik 2025 të cilën e ka siguruar Sinjali, Gjykata e Apelit konstatoi se megjithëse ekziston dyshimi i bazuar se veprimet e policëve gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut kanë qenë të pakujdesshme dhe potencialisht shkaktuan vdekjen e tij, nuk janë paraqitur rrethana konkrete që do të justifikonin rrezikun e përsëritjes së veprës.

Sipas Apelit, përshkrimi i gjykatës së shkallës së parë për rrezikun e përsëritjes, i ndërlidhur me tensionet ndërmjet të afërmve të të ndjerit dhe të pandehurve, nuk është në përputhje me kriteret ligjore për këtë masë. Gjykata theksoi se të pandehurit janë tashmë të suspenduar nga detyra dhe nuk paraqesin rrezik të tillë.
Vendimi erdhi pas ankesave të mbrojtësve të të pandehurve, të cilët pretenduan shkelje të të drejtave kushtetuese, mungesë të vlerësimit të provave dhe përdorim të argumenteve të përgjithshme nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Video-incizimi dhe raportet mjekësore mbeten pjesë kyçe e provave, të cilat sipas Apelit, e mbështesin ekzistencën e dyshimit të bazuar për veprën penale, por jo edhe nevojën për masën më të rëndë – paraburgimin.



Të tjera
Aktuale
Martens, Osmanit: Kam raportuar për oligarkët rusë, kriminelët serbë të luftës, e s’jam paditur kurrë…
Gazetari i FAZ, Michael Martens, thotë
Aktuale
“Gjasat më të mëdha për tu zgjedhë president i ka Abdixhiku – Kurtit nuk i konvenon Osmani
Analisti Nexhmendin Spahiu tha në Pressing
Aktuale
VV në mbrojtje të shkeljes që bëri, sulmon Kushtetuesen
Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës