Qeverisë i bëhet thirrje “t’iu grahë punëve”, përballë mundësisë së shkuarjes në zgjedhje

Qeveria ende nuk ka marrë vendime për ndarjen e pagës së 13-të, rritjen e pagesave për lehona dhe subvencionimin e energjisë elektrike, tha hulumtuesi Naim Jakaj, tek theksoi se këto masa duhet të merren para 31 marsit, datë pas së cilës vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje

Qeveria duhet të intensifikojë punën dhe të veprojë me përgjegjësi përballë rrezikut që pas 31 marsit vendi të shkojë sërish në zgjedhje, thonë njohës të çështjeve politike.

Pas vendimit për masën e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se një qasje e përgjegjshme nënkupton që deri më 31 mars, ekzekutivi t’i kryejë punët e planifikuara.

Sipas tij, ndonëse Ligji për Ndarjet Buxhetore ka hyrë në fuqi më 2 mars, gati dhjetë ditë më pas Qeveria ende nuk ka marrë vendime për zbatimin e disa masave që prekin drejtpërdrejt mirëqenien sociale. 

“Nuk kemi një vendim për ndarjen e pagës së 13-të, nuk kemi një vendim për rritjen e pagesave për lehona që duhet të harmonizohet me Ligjin e Punës dhe rritjen e pagës mesatare në sektorin publik, pakoja prej 200 milionë eurove për grupet e cenuara sociale te çështja e subvencionimit të energjisë elektrike, ende nuk ka publikim të vendimit se si do të procedohet dhe se si do të aplikojnë këto grupe sociale”, ka thënë Jakaj.

Ai thekson se, ndonëse mandatplot, Qeveria i ka të kufizuara disa kompetenca që lidhen me Kuvendin, për shkak të masës së përkohshme të Kushtetueses. “Nuk mund të dërgoj projektligje në Kuvend të Kosovës, për shkak se nuk ka një Kuvend që mund t’i pranojë këto projektligje. Mund t’i pranojë proceduralisht, por nuk mund t’i shqyrtojë, sepse e dimë që Gjykata Kushtetuese e ka marrë masën e përkohshme, ku e ka ndaluar çdo veprim të Kuvendit”, ka sqaruar ai. 

KOHA ka dërguar pyetje në Qeveri se i kanë intensifikuar punët nën rrezikun që vendi të përballet sërish me zgjedhje dhe bllokadë institucionale, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, Osmani e nxori një ditë pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin e ri në seancën e së enjtes, që sipas nenit 86 të Kushtetutës ishte afati i fundit.

Mirëpo, neni 82 thekson se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh, nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, presidenti nuk zgjidhet, dispozitë në të cilën është mbështetur gjithashtu dekreti i Osmanit.

Pas kërkesës së Qeverisë, Gjykata Kushtetuese të hënën vendosi masë të përkohshme ndaj këtij dekreti dhe ndaloi veprimtarinë e Kuvendit deri më 31 mars, afat që ia ka dhënë vetes për të shqyrtuar çështjen dhe për të marrë një vendim meritor nëse vendi shkon në zgjedhje apo nëse Kuvendi vazhdon mandatin për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkohë, në draftraportin e përpiluar nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, thuhet se viti 2025 ishte i humbur për vendin, për shkak të mosformimit të institucioneve.

Të tjera

Lajme

AKU bllokon 738 kg mish pule dhe djathë të rrezikshme për konsum

Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Lajme Showbiz

Arrestimi dhe ndalimi i Gjestit, Prokuroria jep detaje

Sistemi Prokurorial ka dhënë detaje për