Sindikatë e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për të kërkuar ndërhyrjen urgjente në zgjidhjen e krizës së krijuar në RTK.
Në letër thuhet se aktualisht, mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, dhe pas tyre qëndrojnë po aq familje që varen nga këto të ardhura për jetesën e përditshme.
“Kjo situatë është bërë e padurueshme, dhe rrezikon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe funksionimin normal të shërbimit publik të informimit në vend”, thuhet në letër.
Kjo është letra e plotë:
Ne si Sindikatë nuk po kërkojmë asgjë më shumë se zgjidhje konkrete dhe ligjore. Nuk jemi të interesuar për përplasje apo interpretime politike — ajo që na intereson është pagesa e punës së ndershme të punëtorëve të RTK-së, që për muaj të tërë e kanë kryer detyrën e tyre me përkushtim, pavarësisht vështirësive.
I nderuar Kryeministër, ju tashmë jeni të informuar për gjendjen aktuale në këtë institucion. Megjithatë, me këtë letër dëshirojmë të theksojmë edhe një herë se RTK gjendet në një krizë institucionale dhe financiare të thellë:
• Institucioni është pa Bord funksional,
• Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm është vakante si pasojë e moskompletimit të bordit,
• Aktualisht drejtimi i RTK-së po mbahet me ushtrues detyre, gjë që nuk është në përputhje me ligjin për RTK-në.
Ne e dimë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është themelues i RTK-së, por ky institucion ende nuk i ka të krijuara trupat e tij drejtues, dhe si rrjedhojë kemi ardhur në këtë gjendje të rëndë.
Kryeministër, ne si Sindikatë i gëzohemi rritjeve të pagave që po ndodhin në sektorë të ndryshëm në Kosovë, mirëpo kërkojmë nga ju që përmes deputetëve tuaj dhe institucioneve përkatëse, të mundësoni rritjen e buxhetit për pagat në RTK, ashtu siç po ndodh në gjithë sektorët tjerë publikë.
Ju e dini rëndësinë e transmetuesit publik për shtetin, për demokracinë dhe për qytetarët. Prandaj, ju bëjmë thirrje publike që të ndihmoni RTK-në — jo vetëm për hir të punëtorëve të saj, por për hir të vetë funksionimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.
Për hir të 700 familjeve që varen nga ky institucion publik, kërkojmë nga ju të ndërhyni me çdo formë të mundshme për alokimin e buxhetit të RTK-së dhe zhbllokimin e situatës aktuale.
Kryeministër, kjo kërkesë nuk është vetëm sindikale — është një thirrje njerëzore dhe institucionale për të shmangur kolapsin e një institucioni që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.



Të tjera
Aktuale
Dosja e Prokurorisë ndaj dy zyrtarëve të Suharekës: Buxheti i komunës u dëmtua afro 7 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur
Aktuale
Limaj: Duhet të mblidhen dy apo tre grupime të fuqishme opozitare për ta bërë ndryshimin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj
Aktuale
Në Prizren, një grua gjendet pa shenja jete
Policia e Kosovës ka njoftuar se