Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA, ndërsa Kosova nuk është pjesë e saj.
SEPA, që aktualisht përfshin 41 vende, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, disa vende nordike dhe Mbretërinë e Bashkuar, lejon transfere bankare në euro më shpejtë, me standarde të unifikuara dhe kosto dukshëm më të ulëta krahasuar me sistemet ndërkombëtare tradicionale.
Nëse do të ishim pjesë e SEPA-s, kursimi vjetor për bizneset dhe qytetarët llogaritet të ishte diku rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare.
Por, pse Kosova nuk është pjesë e SEPA-s?
Telegrafi i ka shkruar Bankës Qendrore të Kosovës për të ditur pse Kosova nuk është pjesë e kësaj zone?
Nga Banka Qendrore e Kosovës kanë deklaruar se BQK më 14 tetor 2024 ka realizuar fazën e para-aplikimit dhe ka dorëzuar zyrtarisht dokumentacionin përkatës pranë organit kompetent të Komisionit Evropian për këtë qëllim (DG FISMA) dhe Këshillit Evropian të Pagesave (EPC).
“Fillimisht BQK dorëzoi para-aplikacionin, i bazuar në draft-ligjet përkatëse dhe draft-rregulloret zbatuese, kurse e përditësoi atë më 20 dhjetor 2024, kur para-aplikimi u plotësua me dorëzimin e tre ligjeve në versionin e tyre përfundimtare pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës (Ligji 08/L-304 për Banka; Ligji 08/L-328 për Shërbime të Pagesave; dhe Ligji 08/L-333 për Amandamentimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit), së bashku me rregulloret e miratuara nga Bordi i BQK-së që bazoheshin në këto ligje.
Me para-aplikimin e përditësuar (më 20 dhjetor 2024) janë dorëzuar ligjet dhe 20 rregulloret të nxjerra nga BQK-ja në kuadër të këtij procesi për zbatimin e tyre (që hyjnë në fuqi njëkohësisht me hyrjen në fuqi të ligjeve përkatëse), si dhe i gjithë informacioni i nevojshëm lidhur me kuadrin ligjor dhe aspektet teknike, të cilat adresojnë kërkesat e përcaktuara nga EPC-ja për anëtarësim në SEPA. Ky proces ishte mbështetur nga ekspertet e Bankës Botërore, që kanë ndihmuar njësoj edhe vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se dokumentacioni i dorëzuar nga BQK-ja është pranuar nga Komisioni Evropian, të cilët, pas disa komunikimeve me shkrim dhe takime zyrtare, e kanë shqyrtuar atë dhe kanë paraqitur disa komente informale, duke bërë me dije se aplikimi final mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjeve (publikimit në Gazetën Zyrtare).
BQK tutje thekson se nga ky vlerësim preliminar, nën supozimin se ligjet hynë në fuqi e me atë edhe rregulloret përkatëse, janë dhënë sugjerime të natyrës teknike, të cilat të adresuara plotësojnë kushtin për aplikimin final, por aplikimi final varet nga hyrja në fuqi e tre ligjeve në fjalë.
“Meqë aktualisht, këto ligje ndodhen në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese në kuadër të një serë ligjesh, pavarësisht se nuk janë kontestuar asnjëra në kuptim të përmbajtjes (por procedurës parlamentare), madje edhe pse Ligji për Bankat në fakt ka qenë në lexim të dytë (duke ndjekur të gjitha hapat procedurale), aplikimi final nuk është i mundur.
Si rrjedhojë, pritja për hyrjen në fuqi të tyre mbetet një hap kyç për të mundësuar përmbylljen e aplikimit dhe vlerësimit final nga ana e DG FISMA dhe EPC”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Telegrafin.
Nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se në varësi të shpalljes se ligjeve, BQK është e përgatitur të procedojë me dorëzimin e aplikacionit përfundimtar për anëtarësim në SEPA pranë EPC, duke adresuar komentet informale të pranuara në këtë fazë, dhe për rrjedhojë të pres që gjatë vitit 2026 të marr aprovimin, dhe në afatin e caktuar pas përshtatjeve teknike dhe infrastrukturore të sistemit bankar të realizohet ndërlidhja me zonën SEPA.
“Megjithëse plani konkret kohor mbetet i ndërlikuar për shkak të pasigurisë mbi kohëzgjatjen e procesit në Gjykatën Kushtetuese/epilogut të hyrjes së këtyre tre ligjeve në fuqi, megjithëse të gjitha përgatitjet u bënë në afat shumë të shkurtër, që u njoh edhe nga institucionet e Komisionit Evropian, ku qëllimi fillestar me rastin e dorëzimit të para-aplikacionit të përditësuar më 20 dhjetor 2024 ishte që procesi të përmbyllet brenda vitit 2025, siç ngjau me Shqipërinë dhe disa nga vendet tjera.
Por, fatkeqësish komplikimet e shkaktuara nga mos publikimi i ligjeve dhe për rrjedhojë mos hyrja në fuqi, paraqiti këtë sfidë që pati ndikim direkt në rezultatin e pritur, e për të cilin u punua shumë si brenda vendit, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, BQK mbetet e bindur se s’do të ketë kufizime nga ana e Bashkimit Evropian që të vazhdojmë tutje në këtë proces, sapo rrethanat ligjore të mundësojnë këtë, në afatin sa më optimal”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
E lidhur me përfundimin e këtyre ligjeve në Gjykatë Kushtetuese ka pasur përplasje verbale ndërmjet ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati dhe Arben Mustafës nga Partia Demokratike e Kosovës.
Murati në një postim në Facebook duke folur rreth arsyeve të mosanëtarësimit në SEPA tha se kjo është për shkak se ligjet që ishin parakusht për anëtarësim e që Kuvendi i pati miratuar në fund të vitit të kaluar, PDK-ja i ka bllokuar në Gjykatë Kushtetuese.
Ministri në detyrë madje kishte thënë a mundet me pyet dikush Uran Ismailin pse e kanë blloku Kosovën në SEPA?
I menjëhershëm ishte reagimi nga PDK. Arben Mustafa nga kjo parti.
“Ministrit të qeverisë që e ka vendosë Kosovën nën sanksione të BE-së dhe që në çdo hap e ka shkelë Kushtetutën, i paska ra në mend me pyet Uran Ismajlin për disa ligje në Gjykatën Kushtetuese”, kishte shkruar Mustafa.
Të tjera
Aktuale
KEDS mobilizon afro 500 punëtorë ditën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit
Në kuadër të përkushtimit maksimal për
Aktuale
Pas zgjedhjes nënkreytar i Kuvendit, Rashiq do të japë dorëheqje nga pozita e ministrit
Ministri në detyrë për Komunitete dhe
Aktuale
Në audio-incizimin e të dyshuarit për spiunazh Fatmir Sheholli, bashkëbiseduesit pretendohet se janë Duda Balje dhe Amir Rrustemoviq
Radio Televizioni i Kosovës (RTK), të