Përfaqësuesi i UNMIK-ut thirrje Kosovës e Serbisë

Zëvendëspërfaqësuesi Special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.

Ai në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka paraqitur raportin e UNMIK-ut për Kosovën përpara përfaqësuesve të shteteve anëtare të KS të OKB-së.

“Mirëpresim takimet e dialogut në qershor e shtator mes Beogradit e Prishtinës. U bëmë thirrje të dyjave të shmangin masa që mund të gërryejnë mirëbesimin dhe inkurajoj palët që të trajtojnë çështjet e mbetura me mirëbesim dhe në kuadër të kornizës së dialogut”, ka thënë ai.

Shin po ashtu ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, teksa ka theksuar se shpreson që “në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përçarjet politike do të tejkalohen”.

Ai përsëriti shqetësimet rreth mbylljes së strukturave paralele në veri.

“Ritheksojmë brengën që bashkë me partnerët ndërkombëtarë kemi shprehur sa i përket ndikimit potencial të mbylljes së institucioneve të udhëhequra nga Serbia në kuptimin e qasjes në shëndetësi, arsim dhe kulturë. Autoritetet e Prishtinës kanë përmendur imperativa administrative ndaj këtyre masave dhe çështjet që janë komplekse. Është me rëndësi që autoritetet e Kosovës të angazhohen me të gjitha komunitetet para se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme të tyre”.

Ndërsa ka përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, Shin ka bërë thirrje për masa efektive që çojnë në llogaridhënie.

“Kemi kaluar përvjetorin e dytë të incidentin në Banjskë. I bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd e Prishtinë, të marrin masa efektive transparente, për të sjellë kryerësit e ngjarjes para drejtësisë. Duke përfshirë edhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të krijuar tashmë. Llogaridhënia e plotë është e domosdoshme edhe për ngjarjen e vitit të kaluar në kanalin e Ibër–Lepencit. Jemi të brengosur sa i përket arrestimeve lidhur me shfaqjen e simboleve nacionale e fetare. Ritheksojmë nevojën për të respektuar kornizën ligjore që ekziston në Kosovë e të bëhet baraspeshimi i duhur midis lirisë së shprehjes e parandalimit të nxitjes të dhunës ndëretnike”, shtoi ai.

Ai theksoi rëndësinë e kthimit të serbëve në institucione të Kosovës. Përmendi edhe lirinë e mediave. Tha se mbetet nën presion. Ka përmendur se Asociacioni ka raportuar për sulme ndaj gazetarëve e po ashtu se transmetuesi publik po përballet me sfida ndaj pavarësisë së tij.