Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë që Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende, ndonëse kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive.
Jorn Rohde dhe Jonathan Hargreaves, në takimet që kanë zhvilluar me Presidenten Vjosa Osmani, kanë kërkuar që hapat e mbetur për konstituim të bëhen në përputhje me Kushtetutën.
Zhvillimet së shtunës, ku Kryeparlamentari Dimal Basha e përmbylli seancën konstituive pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, i kanë çuar ambasadorët në zyrën e Presidentes Vjosa Osmani.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, janë takuar ndaras me Osmanin.
Disa orë pas takimit, Hargreaves doli me deklaratë, ku e tha qartë se për të Kuvendi nuk është konstituuar.
Ai tha se gjatë takimit me Osmanin diskutuan nevojën urgjente për hapat e ardhshëm për konstituim, duke theksuar se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën, shkruan Reporteri
“Ishte një kënaqësi të takohesha me Presidenten Osmani sot. Diskutuam për partneritetin e ngushtë dhe theksuam nevojën urgjente për hapat e ardhshëm në formimin e Kuvendit, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, shkroi Hargreaves.
Ndërkohë, Rohde doli me deklaratë gjatë ditës së djeshme, ku shprehu shqetësim për “bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale”.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për diskursin publik së fundi që thotë se ngrit dyshime mbi vendimet gjyqësore.
“Faleminderit, Znj. Presidente, për diskutimin e frytshëm! Gjatë takimit shpreha shqetësimin tim për bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale, si dhe për diskursin publik të kohëve të fundit që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, pasi zhvillime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor”, ka shkruar Rohde.
Osmani u ka thënë ambasadorëve se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Presidenca në njoftimin për këtë takim.
Pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.
Osmani e ka pritur të hënën në takim Bashën, ku ai ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit. Osmani e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.



Të tjera
Lajme Showbiz
Më në fund zbulohet e dashura e Klodit për të cilën refuzoi Elijonen dhe Beniten
Është zbuluar më në fund vajza
Aktuale
Hiqen dilemat për kandidaturën nga familja Jashari, deklarohet edhe Bekim Jashari
Anëtarë të familjes së heroit të
Aktuale
BE shtrëngon kontrollet mbi përbërësit e ushqimeve për foshnjat
Pas një skandali që përfshiu ushqimet