Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, tha kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo vlerëson që, paraprakisht, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.
Kusari-Lila, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e pranon që nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë së re, edhe në rast se rifillojnë negociatat me Nismën Socialdemokrate.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare më 9 shkurt.
Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, është më e rezervuar për të komentuar njoftimin e Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, derisa thotë se duhet të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë.
Ajo thotë se në situatën aktuale politike s’ka zgjidhje tjetër më të favorshme përveç mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në nivel nacional. Sipas saj, kjo formë do të ofronte një qartësi më të madhe në mundësinë e koalicioneve të reja.
Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.
Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Sipas Kusari-Lilës, Kushtetuta nuk e cek që vetëm një subjekt, ose subjekti më i madh nga komuniteti serb, e ka të drejtën e nominimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit. Andaj, ajo shpreson se në aktgjykimin e plotë do të konstatohet se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, por pa specifikuar grupimin politik dhe të drejtën ekskluzive të tyre për të propozuar.
Megjithatë, deputetja nga Grupi Parlamentar i LVV-së, thotë se nuk do ta votojë për nënkryetar të Kuvendit asnjë prej deputetëve të Listës Serbe.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të Qeverisë. Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur në fillim të muajit shtator.
Megjithatë, Kusari-Lila është skeptike nëse do të mund të formohet qeveria e re “Kurti III”. Lëvizja Vetëvendosje ka pasur negociata të vazhdueshme me Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, për formimin e qeverisë, por pa arritur pajtueshmëri.
Sipas saj, edhe nëse negociatat me Nismën rikthehen dhe ka pajtim, prapë nuk arrihen 61 vota për formimin e qeverisë, pasi koalicioni LVV-GUXO-Alternativa së bashku me disa prej komuniteteve jo shumicë, i ka vetëm 57 deputetë.
Andaj ajo e sheh të nevojshme që, para se të ketë dakordim për zgjedhje të reja, të formohet një qeveri e përkohshme përmes një marrëveshjeje politike me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet buxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e BE-së për Kosovën, në kuadër të Planit të Rritjes.
Deputetja Kusari-Lila thotë se kjo nuk ka të bëjë me idenë e LDK-së për qeveri të tranzicionit, por të mbështetet vetëm një grup parlamentar për formimin e qeverisë së përkohshme për kryerjen e këtyre obligimeve.
“Edhe nëse ne i rikthejmë ose ka ndonjë shans të ri, hipotetikisht, në negociata me Nismën, prapë nuk janë 61 vota. Do të thotë, prapë ne do të kemi në njëfarë forme ndjeshmëri të lartë karshi funksionimit të mirëfilltë, për shkak se me gjashtëdhjetë e një, pastaj secili deputet do të bëhet, ose deputete do të jetë, të themi, çelësi i suksesit ose dështimit të secilës seancë…Eventualisht mund të ketë marrëveshje politike për të kaluar disa projektligje ose, të them, projektbuxhetin në këtë rast që të mos ballafaqohemi me situatë të krizës së shtetit që mund të përcillet në vitin 2026, apo edhe ndonjë projektligj apo marrëveshje ndërkombëtare e cila lidhet me fondet e Bashkimit Evropian. Që i bie që mund të ketë një qeveri, po e them prapë hipotetikisht, po e flas pa ndonjë argumentim real të shanseve tashmë të formohet, por nëse vendoset interesi i shtetit përpara, mund të jetë një marrëveshje e përgjithshme… Jo në frymën si i ka prezantuar LDK-ja, por të ketë një grupim parlamentar, se nuk ka nevojë të gjitha partitë të jenë bashkë. Nuk po flas me atë idenë e qeverisë së tranzicionit, gjithsesi është qeveria në detyrë tash. Ne po flasim për dakordim politik me agjendë specifike legjislative, jo ekzekutive”, shton Kusari-Lila.
Duke folur për bashkëpunimin e ardhshëm me LVV-në, Kusari-Lila thotë se do të kërkojnë koalicion zyrtar, ndërsa është më e rezervuar kur pyetet nëse do të jetë shefja e ardhshme e Grupit Parlamentar të LVV-së./KP
Të tjera
Aktuale
Hyseni ndaj deklaratës së Bulliqit: Mu plagos babai, nëna, vëllai e motra
Kandidati i LDK’së për kyetar të
Aktuale
Osmani i reagon Vuçiqit pas deklaratës për luftë: Po i tregon botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka
Aktuale
Çitaku: UÇK-ja s’ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, por çlirimtare
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora