Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se deklarata e mbrëmshme e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për Hashim Thaçin e Kadri Veselin është “dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës”.
OVL-UÇK-ja tha në një reagim në Facebook se e dënon deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e quan të papërgjegjshëm dhe “politikisht të rrezikshëm”.
“Deklarata e Albin Kurtit për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës. Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish Kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”. Ky deklarim publik është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe politikisht i rrezikshëm, veçanërisht në një kohë kur ndaj Thaçit dhe të tjerëve është ngritur një aktakuzë e re, që përfshin pretendime për frikësim, pengim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve, nëpërmjet komunikimeve të mundshme nga institucioni i paraburgimit”, thuhet në reagim.
Sipas OVL-UÇK-së, kështu, Kurti “mbështet publikisht një narrativë që mund të përdoret drejtpërdrejt në dëm të tyre, duke i dhënë jehonë të panevojshme një çështjeje që është tashmë nën vlerësim gjyqësor ndërkombëtar”.
“Z. Kurti, kur s’mund të ndihmosh, të paktën mos i dëmto! Gjatë këtyre pesë viteve paraburgim të zgjatur, asnjëherë nuk ke bërë një vizitë, as një fjalë nuk ke thënë për keqtrajtimet e tyre, ndonëse e gjithë Kosova dhe personalitete të shumta ndërkombëtare kanë reaguar për padrejtësitë që po u bëhen. Në vend që të kryesh detyrën tënde si Kryeministër për të mbrojtur qytetarët e vendit, ti zgjedh t’i godasësh ata në momentin më të ndjeshëm të betejës së tyre për drejtësi”, thuhet në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se Kurti ka frikë nga kthimi i ish krerëve të UÇK-së në Kosovë si të pafajshëm.
“Kjo frikë që ke ndaj ish krerëve të UÇK-së, se mund të kthehen të pafajshëm dhe me dinjitet në vend, nuk është vetëm e jotja, por është frika që ndajnë edhe armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare. Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, do të qëndrojmë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë, të vlerave të saj, dhe të secilit që dha gjithçka për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Nuk do të heshtim përballë gjuhës që përçmon dhe rrezikon të vërtetën tonë historike”, thuhet në reagim.
Të tjera
Aktuale
Si ndodhi aksidenti tragjik në Dollc të Klinës, ku humbi jetën një person dhe pesë u lënduan?
Policia e Pejës ka dhënë detaje
Aktuale
Çfarë synohej me mbylljen e Urës së Ibrit, Jamie Shea: S’ishte ideja e ndarjes së Kosovës
24 qershori 1999 shënon ditën kur
Aktuale
DASH anulon mbi 6 mijë viza studentore, Ambasada Amerikane: Shkelën ligjin dhe mbështetën terrorizmin
Departamenti i Shtetit ka anuluar më shumë