Mbi 200 mijë qytetarë pritet të jenë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet me 17 shkurt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër” , Eliza Hoxha, në konferencën për media.
“Kjo nuk është çështje partie, pushteti, por është çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar. Kemi marrë konfirmime nga shqiptarë nga i gjithë rajoni dhe Evropa. Diaspora jonë po organizohet, po vjen, po udhëton me orë të tëra për të qenë bashkë. Po na vijnë fotografi e mesazhe me familje të cilat na tregojnë që do të jenë prezente aty bashkë. Ky është momenti kur e kupton që ky marsh nuk i përket vetëm një platforme dhe individi, thjesht ky marsh i përket popullit të Kosovës. Presim mbi 200 mijë qytetarë në këtë marsh. Do të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë. Por madhështia e tij nuk matet vetëm me numra, por do të matet me qetësinë tonë, me disiplinën dhe dinjitetin tonë dhe seriozitetin e mesazhit që do të përcjellim atë ditë”, tha Hoxha.
Eliza Hoxha theksoi se qytetarët do të dalin për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Në këtë marsh do të jenë pesë folës, por asnjëri nuk do të jetë partiakë, ndërsa do të performojë edhe këngëtari Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son.
“E ripërsëris edhe sot: asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar,” theksoi Tasholli.
Programi do të përfshijë edhe performancë artistike nga Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, ndërsa do të realizohet një aksion simbolik tek monumenti NEWBORN, si moment reflektimi për lindjen e shtetit të Kosovës dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e së vërtetës së tij.
Platforma njoftoi gjithashtu se sot do të publikohet agjenda e nisjes së autobusëve nga secila komunë e Kosovës. “Janë qindra autobusë që do të nisen në mënyrë të organizuar drejt Prishtinës. Agjenda do të bëhet publike në faqen zyrtare të platformës ‘Liria ka Emër’, në mënyrë që çdo qytetar të ketë informacion të saktë,” deklaroi Tasholli.
Në aspektin e sigurisë dhe organizimit, platforma konfirmoi se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme, në koordinim me Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, njësitet emergjente shëndetësore, stacionet e autobusëve dhe strukturat përgjegjëse për parkingjet. Organizimi teknik i binës, videomaterialeve dhe sistemit të zërimit është planifikuar me kujdes për të garantuar një tubim të sigurt dhe dinjitoz.
“Ky do të jetë një marsh paqësor dhe i organizuar, që do të tregojë pjekurinë qytetare të Kosovës,” u tha në konferencë./EO/



Të tjera
Aktuale
Flamuri i Kosovës ngritet në Çikago për 18 vjetorin e pavarësisë, valon krahas atij të SHBA’së
Flamuri i Kosovës është ngritur në
Aktuale
Washington DC e shpall si datë zyrtare 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Ambasada e Kosovës në Washington DC
Aktuale
Kurti iu kërkon deputetëve gjermanë më shumë investime në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin