Një burrë është gjetur i gjallë – dy muaj pasi ‘ishte harruar’ në det, me një varkë të vogël në lindjen e largët të Rusisë

Një burrë rus është shpëtuar pasi kaloi më shumë se dy muaj në një varkë të vogël me fryrje në Detin Okhotsk në lindjen e largët të Rusisë.

Zyrtarët thonë se një burrë, i quajtur nga mediat si Mikhail Pichugin, 46 vjeç, u gjet nga një ekuipazh i një anije peshkimi gati 1,000 km nga vendi ku u nis në fillim të gushtit.

Mësohet se në varkë u gjetën trupat e vëllait të tij dhe të nipit 15-vjeçar.

Gruaja e Pichugin ka thënë se ata kishin shkuar në det për të parë balenat dhe kishin marrë furnizime ushqimore për dy javë.

Ajo tha se pesha e tij mund të ketë qenë një faktor në mbijetesën e tij – ai ishte 100 kg kur u nis për në udhëtim, dhe raportet thonë se vetëm gjysma kur u shpëtua 67 ditë më vonë.

“Ne nuk dimë asgjë ende. Ne e dimë vetëm se ai është gjallë… Është një lloj mrekullie!”, ka thënë ajo.

 

Ajo tregoi gjithashtu se vajza e tyre duhej të shkonte në udhëtimin fatkeq, por ajo kishte vendosur që donte të kthehej në shtëpi.

Një kërkim me helikopter nuk kishte gjetur asnjë gjurmë të treshes pasi u raportua zhdukja e tyre.

Dhe varka u zbulua të hënën teksa notonte pranë një varke peshkimi në detin Okhotsk, në brigjet e Gadishullit Kamchatka, i cili shtrihet në lindjen e largët të Rusisë.

“Nuk më ka mbetur më forcë”, ka thënë ai teksa është çuar në një vend të sigurt ndërsa trupat e vëllait të tij Sergei, 49 vjeç, dhe nipit Ilya, ishin ende në varkë.

Sa i përket mënyrës sesi ai ishte në gjendje të mbijetonte për kaq gjatë në Detin e Okhotsk – më i ftohti në Azinë Lindore – një përfaqësues nga dega e largët lindore e sindikatës së marinarëve rusë sugjeroi se furnizimi me peshk mund të ketë luajtur një rol.

Pichugin tani po shërohet në spital, ku përshkruhet si në një gjendje “pak a shumë të qëndrueshme” nga mjekët.