Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani ka thënë se situata e sigurisë aty nuk ka përsuar ndryshime edhe pas marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj në dhjetorin e vitit të kaluar.
Elshani ka treguar se aktualisht janë 154 policië të komuniteti serb, duke theksuar se puna e policisë vazhdon mbi të njejtën bazë ligjore.
“Nuk ka ndryshu shumë, për arsye se policia e ka ligjin në bazë të cilit punon. Ligjin për Policinë, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, vazhdojmë me punën tonë që na e kemi. Kemi pasur disa sene, disa gjëra interesante, që me nxjerr një vendim, në kundërshtim me vendimin që ka qenë më herët, po ato i vendos gjykata dhe nuk mund të ndalohen për shembull punimet të cilat janë duke u zhvilluar në këtë vend, dhe që janë të autorizuara apo e kanë marrë pëlqimin nga komunat më herët, nga udhëheqësit komunalë që kanë qenë më herët. Ato munden me u apelu veç në gjykatë, jo diku tjetër. Mirëpo në parim çdo gjë është e njëjtë. Ne jemi këtu për me respektu ligjin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Duke folur për bashkëpunimin me autoritetet lokale në veri, ai theksoi se komunikimi me kryetarët e komunave është i rregullt dhe korrekt.
“Është një bashkëpunim i mirë, komandantët e stacioneve takohen në baza të rregullta me kryetarët e komunave, me zyrtarët e tyre komunalë aty që, që janë. Unë jam taku me dy kryetarë të komunave deri tani, të Mitrovicës së Veriut edhe të Leposaviqit. Një komunikim shumë i mirë. Çdo herë kur kërkohet nga ana jonë me raportu, na raportojmë, çdo informacion që e ndajmë, me të dike tjetër, e ndajmë edhe me edhe me kryetarin e komunës. Për shembull, çështja e sigurisë, po flasim për çështje të sigurisë, aksidente në komunikacion, rregullat e komunikacionit, shenjat vertikale-horizontale, rrugët të cilat nuk janë të mira. Të gjitha këto i ndajmë me zyrtarët komunalë, edhe në fakt pajtohemi edhe me ta që ato kërkesa mandej me i dërgu në MAPL apo në institucionin përkatës që për shembull rrugët me u ndreq edhe me pasë me të mira”, tha ai për Ekonomia Online.
Elshani bëri të ditur se përbërja etnike e policisë në veri ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 2023.
“Ne në fillim kur kam ardhë këtu në prill të vitit 2023, ne i kemi pasë katër policë, kosovarë, të përkatësisë etnike serbe. Katër. Tash i kemi 154. Nëse i marrim romë, ashkali, turq, diçka e tillë, atëherë i bie që unë 40% i kam shqiptarë. Të tjerët, 60%, janë të tjerë. Kështu që është një situatë shumë e mirë. Pamarrë parasysh situatën politike në fillim na ka diktu që diku rreth 500 policë të komunitetit serb, kosovarë të përkatësisë etnike serbe, kanë dhënë dorëheqje. Tash i kemi 154 qysh thashë. Po nesër mundemi me i pasë zero. Po s’është me rëndësi, na e bëjmë punën tonë, e zbatojmë ligjin edhe vazhdojmë në atë drejtim me punën tonë”, tha ai.
Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, më 5 dhjetor 2025 janë mbajtur seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe kanë marr përsëri pushtetin.
Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.
Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do të anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.
Ndërkohë, në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Zveçan është raportuar për largime nga puna të punëtorëve shqiptarë, masa që autoritetet komunale i kanë arsyetuar me baza ligjore dhe procedurale.



Të tjera
Aktuale
Pas kompromiseve me BE’në, Kurti mbledh kabinetin
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se
Aktuale
Si rrezikohen Kosova dhe Ballkani nga lufta në Lindjen e Mesme
Kosova dhe vendet e tjera të
Lajme
Petkoviqi konfirmon marrëveshjen: Serbët mund të marrin frymë lirshëm
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për