Sot në ka filluar gjysmëvjetori i dytë, por jo në të gjitha komunat e Kosovës.
Drenasi, Malisheva e Fushë Kosova kanë vendosur që ta shtyjnë fillimin e mësimit si pasojë e motit të pafavorshëm dhe vërshimeve.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në disa komuna mësimi nuk ka nisur edhe për shkak të problemeve me ngrohje.
Nagavci në një bisedë për Kosovpress, ka thënë se kjo është kompetencë dhe keqorganim i komunave. Ndër tjera, theksoi se çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet, për çka shtoi se do të bëhet plani dhe të ndahet me komunat.
“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me komunat edhe mbrëmë deri në orët e vona edhe sot po ashtu. Dhe në bazë të informacioneve që kemi, në tre komuna është shtyrë fillimi i vitit shkollor, në Malishevë për shkak të reshjeve edhe situatës së krijuar me vështirësi në komunikacion në qarkullim, ndërkohë që në Fushë Kosovë dhe në Drenas ka pasur probleme edhe për shkak të ngrohjes. Pra në tri komuna, në Drenas, në Malishevë dhe në Fushë Kosovë, është shtyrë fillimi i procesit mësimor”, deklaroi ajo.
Ministrja në detyrë e Arsimit bëri të ditur se edhe në disa komuna të tjera ka pasur shkolla që janë përballur me probleme të ngrohjes.
“Në Prishtinë kanë njoftuar se e kanë filluar mësimin në të gjitha shkollat. Në Ferizaj është vetëm në një shkollë. Në fshatin Tërn nuk ka filluar mësimi, në shkollat e tjera po. Kjo për shkak të problemeve me ngrohje. Në Kaçanik, në Lipjan dhe në Shtime e kanë filluar shkollat mësimin, por janë riorganizuar nga ana e komunës. Prizren, Suharekë edhe Dragash, edhe në Mamushë ka filluar mësimi sot me vonesë në dy shkollat e Prizrenit për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore. Ndërkohë edhe në Vushtrri, mësimi nuk ka filluar në shkollën ‘Dëshmorët’ në Zhilivodë për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore”, shtoi Nagavci.
Për këtë ajo ka fajësuar komunat, për çka deklaroi se është keqorganizim.
“Po, kjo është shumë problem, por është përgjegjësi e komunës, kompetencë ligjore e komunës. Gjithsesi, ata duhet të raportojnë në detaje edhe çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet. Edhe natyrisht duhet të adresohet që probleme të tilla të mos ndodhin në të ardhmen, sepse është absurde që të mbeten pa lëndë të para ngrohëset në mes të periudhës së dimrit… Kjo është papërgjegjësi edhe keq organizim, nuk ka të bëjë me, si të them, sikurse te çështja e vërshimeve kur është diçka e paplanifikuar edhe në aspekt të faktorëve të jashtëm natyrorë në këtë rast”, u shpreh ajo.
E pyetur se si do të kompensohen orët e humbura, Nagavci tha shkurt se do të hartohet një plan.
“Po, natyrisht, do të bëhet plani dhe do të ndahet me komunat”, përfundoi ajo.



Të tjera
Showbiz
Labi flet sërish për raportin me Serben
Labi ka folur edhe sonte për
Aktuale
Si gjendet presidenti konsensual sipas Haxhiut?
Analisti Baton Haxhiu, deklaroi se në
Aktuale
Abdixhiku me një kërkesë të papritur lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës