Ish-deputetja boshnjake, Duda Balje, ka reaguar ashpër ndaj kandidaturës së Ena Kadës – motra e Donika Kada-Bujupit – në listën zgjedhore të partisë boshnjake VAKAT, duke e cilësuar këtë veprim si një tjetër tentim për keqpërdorim të vendeve të rezervuara për komunitetet jo-shumicë në Kosovë.
Lidhur me këtë reagim, Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga Balje, duke ia rikujtuar edhe periudhën kur ajo shprehej pro Donika Kadaj-Bujupit, madje duke thënë “e duam në VAKAT”.
Në një prononcim për Insajderi, Balje ka thënë se reagimi i saj i atëhershëm duhet parë në kontekstin e asaj që kishte ndodhur në Kuvend.
Unë e di që jam duke pritur gjithçka nga Vetëvendosja, sepse vërtet nuk kam kaluar mirë këta 9 muajt e fundit. Reagimi im për Donikën duhet të shihet në momentin kur kam reaguar – kam reaguar kur isha shumë e ofenduar në Kuvendin e Kosovës. Kur disa kolegë më kanë thënë ‘ti je boshnjake, shko në Bosnje’, kam parë edhe komente të tjera. Atëherë kam thënë: ‘Nëse unë duhet të shkoj në Bosnje, le të shkojë edhe Donika, sepse Donika gjithmonë ka thënë se është e lindur në Bosnje dhe nënën e ka nga Bosnja’. Kam thënë: ‘Pse unë? Sepse jam boshnjake?’. Si rrjedhojë, ky ka qenë reagimi im ndaj ofendimeve në Kuvend”, ka sqaruar ajo.
Sipas saj, në atë situatë nuk ka pasur asnjë arsye ta mbronte Donikën.
“E para, kam qenë e ofenduar dhe nuk kam pasur nevojë ta mbroj Donikën. Ajo mund ta mbrojë vetveten shumë mirë”, deklaroi Balje.
Në vitin 2018, Balje e kishte mbrojtur publikisht Donika Kadaj-Bujupin, duke thënë se “nëna e Donikës është boshnjake” dhe se nuk ka asgjë të keqe ta “marrin në VAKAT”.
Ajo kishte reaguar pas një seance ku Ramush Haradinaj e kishte qortuar Donikën, duke i thënë të mos i fyente komunitetet sepse “mund t’i idhnohej nëna”.
Ndërkohë, Balje ka shpjeguar arsyet pse është kundër kandidimit të Ena Kadës në një vend të rezervuar për boshnjakët.
“Është një vend i rezervuar për boshnjakët, dhe këtu nuk mjafton të deklarosh që je lindur në Bosnje apo që ke nënën nga Bosnja. Duhet ta deklarosh veten si boshnjake dhe të angazhohesh për çështjet e boshnjakëve. Znj. Ena nuk e ka deklaruar veten si boshnjake, nuk ka qenë pjesë e asnjë problemi të boshnjakëve në Kosovë, as nuk ka bërë ndonjë zgjidhje për ta. Asnjëherë nuk është drejtuar në gjuhën boshnjake, dhe unë nuk besoj se ajo e di çfarë problemesh kanë boshnjakët në Kosovë. Mund ta shihni edhe në Facebook apo në emisione – ajo nuk ka përdorur kurrë gjuhën boshnjake”, u shpreh ajo.
Balje madje thotë se tentimi për ta futur Ena Kadën në listën e boshnjakëve po vjen me prapavi nga ish-partia e saj.
“Ky nuk është sulmi i parë nga VAKAT. Para dy zgjedhjeve, VAKAT ka marrë vota edhe nga komunat serbe dhe ka provuar të marrë vende me vota të serbëve. Tani po përpiqet edhe me zonjën Ena. Unë e respektoj, por nuk e njoh personalisht, nuk e kam parë kurrë në jetën time, dhe mendoj se ky veprim nuk është fer”, tha ajo.
Balje u shpreh e bindur se Ena Kada nuk do të mund të fitonte kurrë një mandat nëse do të kandidonte nën logon e një partie shqiptare.
“Praktikisht, e di që është më e lehtë. Ata kanë një plan tjetër, dhe besoj që është më e lehtë të jesh deputet me një vend të rezervuar. Unë besoj se znj. Ena, në asnjë parti shqiptare si LDK, PDK apo VV, nuk do të kishte mundësi të fitonte”, deklaroi ajo.
Ajo rikujtoi edhe një rast të mëparshëm kur dikush kishte tentuar të merrte një vend të rezervuar për boshnjakët, por PZAP e kishte refuzuar.
“Kemi pasur një rast të ngjashëm – ka luftuar në Bosnje dhe e ka konsideruar veten si boshnjake, por PZAP e ka larguar”, tha Balje.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga vetë kandidatja Ena Kada dhe nga motra e saj, Donika Kadaj-Bujupi, por të njëjtat nuk janë përgjigjur deri më tani.
Nga kërkimet, shihet se Ena Kada punon në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe në profilin e saj në Facebook deri tani nuk ka bërë asnjë njoftim lidhur me kandidaturën e saj.
VAKAT i përgjigjet Duda Baljes
Koalicioni VAKAT ka reaguar ndaj deklaratave të ish-deputetes Duda Balje, e cila kundërshtoi kandidimin e Ena Kadës në listën e boshnjakëve, duke e cilësuar atë si tentim për “keqpërdorim të vendeve të rezervuara”.
VAKAT i ka quajtur këto akuza tendencioze dhe sulm të panevojshëm ndaj një kandidateje me prejardhje të qartë boshnjake.
Në reagim thuhet se Duda Balje po përpiqet të devijojë vëmendjen nga thelbi dhe të krijojë përçarje brenda komunitetit.
“Reagimi i Duda Baljes për kandidaturën e Ena Kadës përfaqëson një tentim për të larguar vëmendjen nga çështjet thelbësore dhe për të krijuar ndarje të panevojshme në komunitetin boshnjak,” thuhet në reagim.
Në reagim potencohet se Ena Kada ka lindur në Sarajevë dhe mban emrin Ena sipas gjyshes së saj, Tenzila, e lindur në Foçë. Ajo vjen nga nëna e saj, Mirsada Kamberović, gjithashtu e lindur në Sarajevë, ndërsa familja Kamberović përshkruhet si një familje e respektuar sarajevase, e njohur për vlera morale dhe shoqërore.
Po ashtu, thuhet se xhaxhai i Ena Kadës, Mirsad Kamberović, ka qenë pjesëmarrës në luftë dhe bartës i dekoratës më të lartë ushtarake – “Lulja e Artë”.
“Duda Balje i di shumë mirë këto fakte, por zgjedh t’i injorojë me vetëdije,” thuhet në reagim./Insajderi



Të tjera
Aktuale
Motra e Donika Kadajt -Bujupi kandidon si boshnjake ne Listen e VAKAT, reagon ashper Duda Balje
Ish-deputetja boshnjake, Duda Balje, ka
Sport
Spalletti i Juventusit flet për minutat e pakta të Edon Zhegrovës në fushë
Napoli ka shënuar fitore me rezultat
Aktuale
Emërohet një tjetër ushtrues detyre i ri në KEK
Pas shkarkimit të Ramadan Ahmetit nga