Ministrat të konstatuar jolegjitimë, pengesë për të ballafaquar krizën në rritje të kostos së jetesës

Ekonomia e Kosovës po rrëshqet drejt një teposhtze dramatike, ndërsa ministrat e konstatuar nga Gjykata Supreme si jolegjitimë, vetëm sa e ushqejnë rrezikun e një kolapsi të plotë. Kështu po paralajmërojnë njohësit e fushës, në dritën e përkeqësimit të treguesve ekonomikë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, i vuri emër secilit hall të përditshëm të qytetarëve: nga ushqimet që po kushtojnë si luks, faturat e energjisë që rëndojnë si gur mbi buxhetin familjar, pagat që po zhvlerësohen përditë, librat shkollorë që mungojnë, deri te barnat e pakapshme në spitale dhe mungesa e çdo perspektive. “Të gjitha këto probleme kanë një adresë – Qeverinë.”

Bajrami paralajmëroi se treguesit ekonomikë tashmë flasin vetë: inflacioni sipas ASK-së ka arritur në 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit çmimet kanë rritur në nivel dyshifror; deficiti tregtar po thellohet me ritme të frikshme; investimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në nivelin më të ulët historik, ndërkohë që bankat dhe institucionet financiare po përballen me mungesë të theksuar likuiditeti.

Bizneset vitale të vendit po goditen nga një rritje marramendëse e çmimit të energjisë, e cila ka shënuar rritje mbi 300%, në dritën e vendimit për daljen në “Treg të Lirë”.

“Përderisa bllokada vazhdon nga Kurti dhe aleatët e tij, Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike

Sipas ASK-së norma e nflacionit është 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni arrin në numra dyshifrore, deficiti tregtar po thellohet me shifra frikësuese, investimet kapitale të nivelit qendror janë më të ulëtat në histori e institucionet financiare janë në mungesë të thellë likuiditeti. Në të njëjtën kohë, energjia elektrike për bizneset më vitale në vend është 300% më e shtrenjtë.

Thënë më thjeshtë, çmimet po rriten çdo ditë, importojmë pothuajse çdo gjë që konsumojmë, qeveria nuk investon para në ekonomi dhe secila familje sot është në kredi. Ndërkohë, atë pak ekonomi që kishim po shkatërrohet, sepse po sakrifikohet prodhimi vendor për të favorizuar tregtarët e energjisë, të cilët tashmë edhe me emra shihet se janë njerëz të afërt me Albin Kurtin.” – shkroi dje Bajrami, në një reagim në Facebook.

Në të njëjtën linjë alarmi, ekonomisti Shenoll Muharremi e përshkroi situatën si një vetëshkatërrim që tashmë ka marrë hov. Ai rikujtoi se Kosova prej më shumë se një viti është në ngërç politik, pa Kuvend funksional, me ministra të shpallur ilegalë nga Gjykata Supreme dhe një qeverisje të zhytur në kaos.

Ndërkohë, sipas tij, sfidat e vërteta – energjia, deficiti tregtar, inflacioni, shëndetësia dhe arsimi publik – po lihen anash, ndërsa qytetarët dhe bizneset gjunjëzohen nga çmimet astronomike.

“Gati një vit prejse ka fillu fushata për zgjedhjeve të 9 shkurtit e ende nuk kemi Kuvend e Qeveri funksionale. Ministra ilegalë sipas Gjykatës Supreme, e Kuvend jashtë rregullave kushtetuese. Kaos i ambalazhuar.

Ndërkohë, problemet reale të Kosovës dhe qytetarëve si energjia, deficiti tregtar, inflacioni, cilësia e arsimit dhe shëndetësisë publike.. askush nuk po i prek e nuk kemi zgjidhje! Disa biznese tona po mbyten, familjet janë gjunjëzuar me çmime astronomike. Po këto probleme thelbësore nuk po trajtohen, e as ende nuk kemi zgjidhje për to.

Politikanët e kanë kryefjalë pushtetin, jo shërbimin. Koha po ikë, sfidat po shtohen. Kjo nuk ka lidhje me politikë se për zhvillim e formësim të ardhmësirë pozitive jo se jo. Më shumë po duket se është një vetëshkatërrim i ngadalshëm që tash ka marrë hov.

Prandaj, Kosova nuk mundet me duru më këtë dhe nevojitet një ndryshim i drejtimit. Po a ka kush me i ofru atë ndryshim kur kjo tashmë është një emergjencë e nivelit të lartë? Apo të gjithë janë të zënë duke shiquar interesin dhe karrikën e pushtetin e tyre sikurse janë aty në punë private e jo për politika dhe interes publik.” – shkroi Muharremi.

Pas muajsh të tërë bllokadash dhe dështimesh për të çuar deri në fund seancën konstitutive të Kuvendit, zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Parlamentit u pa si shpresë për t’i dhënë fundit ngërçit. Por, ndonëse në krye të Kuvendit u ndërrua personi, Vetëvendosje s’i ndryshoi praktikat. Basha, ende pa u zgjedhur ende një nënkryetar nga komuniteti serb, e konsideroi çështjen e seancës konstitutive të mbyllur.

Veprim prodhoi një situatë të re: Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar legjitimitetin e procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili pezulloi çdo veprim të deputetëve të legjislaturës së nëntë për të parandaluar “rreziqe apo dëme të pariparueshme”, e ngrinë funksionimin e Kuvendit të Kosovës deri më 30 shtator.

Të tjera