Nga Tirana në Washington, jehona e protestës për ish-krerët e UÇK-së kapërceu kufijtë. Mijëra qytetarë që mbushën sheshin “Skënderbej” të premten pasdite në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, u bënë lajm në mediat më të mëdha botërore.
Associated Press, The Telegraph, New York Post dhe The Washington Post i kushtuan hapësira të gjera protestës në kryeqytetin shqiptar, duke e përshkruar atë si një demonstratë mbarëkombëtare për drejtësi dhe si një shenjë të fortë solidariteti mes shqiptarëve në rajon.
Associated Press shkruan se qytetarët u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë për të protestuar kundër Gjykatës Speciale të Hagës të mbështetur nga BE, duke e cilësuar si të njëanshme, dhe që ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që zhvilluan luftën e viteve 1998-1999 për pavarësi nga Serbia.
“Demonstrues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor Skënderbej në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose UÇK-së — një ish-grup guerilas i shqiptarëve të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi. Shumë prej tyre mbanin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe të UÇK-së, ndërsa një grup ish-luftëtarësh dhe disa të rinj ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Disa këndonin këngë për UÇK-në dhe lirinë.”, thuhet në artikull.
Mediat theksojnë gjithashtu se protesta nuk ishte politike dhe se “u organizua nga shoqata e veteranëve e njohur si OVL-UCK dhe u mbështet nga qeveria dhe kryeministri i Shqipërisë, nën moton: “Liria ka një emër. Drejtësi për çlirimtarët.”
Vihet theksi edhe te prezenca e ish-presidentit Aleksandër Moisiu.
“Alfred Moisiu, 95 vjeç, ish-presidenti i Shqipërisë, ishte gjithashtu i pranishëm dhe bëri thirrje për drejtësi, duke thënë se të pandehurit “janë ndaluar pa prova, me akuza të sajuara”.
Përmendin gjithashtu edhe numrin e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës dhe tensionet që vijojnë ende me Serbinë. “Gjykata dhe një zyrë prokurorie e lidhur me të u krijuan pas një raporti të vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, një organ i të drejtave të njeriut, që përfshinte akuza se luftëtarët e UÇK-së trafikuan organe njerëzore të marra nga të burgosurit dhe vranë serbë dhe bashkëqytetarë shqiptarë etnikë. Akuzat për marrjen e organeve nuk janë përfshirë në aktakuzat e lëshuara nga gjykata.
Dy ish-anëtarë të tjerë të UÇK-së janë dënuar tashmë nga gjykata. Gucati dhe një zyrtar tjetër i UÇK-së u dënuan gjithashtu nga gjykata për kërcënim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë. Rreth 11,400 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, vdiqën gjatë luftës , përpara se një fushatë bombardimi e NATO-s ta detyronte Serbinë të tërhiqte trupat e saj nga Kosova dhe t’ia dorëzonte kontrollin e ish-provincës së saj Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s.
Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, e cila u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Perëndimit, por jo nga Serbia apo aleatët e saj Rusia dhe Kina. Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta”, thuhet në artikullin e Associated Press.



Të tjera
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të
Uncategorized
Rukiqi godet pushtetin e Kurtit: Po blejnë energji elektrike që origjinën e ka në Serbi
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, në