Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka deklaruar se Beogradi zyrtar prej vitesh interpreton selektivisht detyrimet e marra me Marrëveshjen e Ohrit.
Lidhur me njoftimin e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, se Serbia “po përgatit ndryshimin e qëndrimit të një pjese të komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës”, Janjiq thekson se kjo deklaratë hap çështjen e shkeljes së detyrimeve nga marrëveshja, ku Beogradi ishte angazhuar që të mos pengonte afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Duriç, paralajmëron se Serbia synon të shfrytëzojë “gabimet diplomatike të Prishtinës” dhe të forcojë pozicionin e saj para partnerëve perëndimorë, një pjesë e ekspertëve në Beograd paralajmërojnë se kjo do të thotë shkelje e marrëveshjeve që obligojnë Serbinë të mos pengojë integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, shpjegon se Beogradi prej vitesh interpreton selektivisht detyrimet e marra, megjithëse Marrëveshja e Ohrit qartë përcaktonte se Serbia nuk duhet të zhvillojë fushatë kundër njohjes së Kosovës apo të bllokojë integrimin e saj ndërkombëtar.
Ai shton se Serbia nuk ishte e detyruar të njohë Kosovën, por ishte e obliguar që të mos pengonte procesin e njohjes dhe afirmimit ndërkombëtar të saj.
“Ky është mënyra e sjelljes së Serbisë që nga koha e Vuçiqit. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, Serbia reinterpreton disa detyrime sipas mënyrës së saj. Nëse marrim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si plani franko-gjerman, aty Serbia u angazhua të mos zhvillojë politikë aktive kundër njohjes dhe të mos krijojë pengesa për Kosovën. Nuk u detyrua të njohë Kosovën, por u angazhua qartë që të mos pengojë këtë proces”, thekson Janjiq, për RTK.
Në kulmin e debatit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Kosova u rikthye sërish në qendër të vëmendjes.
Këto deklarata të zyrtarëve serbë kanë ngritur pyetje nëse Serbia po kthehet tek praktika e lobimit kundër Kosovës, e cila sipas vlerësimeve do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Ohrit. Janjiç thekson se këto hapa largojnë palët nga normalizimi i marrëdhënieve.
“Kjo praktikë do të thotë se Serbia shkel edhe germën edhe frymën e marrëveshjes. Me këto veprime Serbia nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve, përkundrazi, largohet nga ai proces, duke treguar se nuk ka interes për të. Arsyeja është mungesa e ndonjë lajmi të mirë që autoritetet serbe mund të sjellin nga Nju Jork dhe Uashingtoni,” shpjegon Janjiq.
Paralajmërimi se Serbia po përgatit ndryshimin e qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës nuk u shpjegua më konkretisht nga Duriq. Analistët vlerësojnë se deklarata ishte e paqartë dhe më shumë e destinuar për publikun e brendshëm sesa për partnerët ndërkombëtarë. Vetë Janjiç nënvizon se bëhet fjalë për mesazhe politike:
“Kjo është sjellje e motivuar politikisht, e destinuar kryesisht për publikun e brendshëm, për atë pjesë të elektoratit që pret një mesazh të qartë se Vuçiq nuk ka ‘tradhtuar Kosovën’. Kjo është kryesisht elektorati i spektrit të djathtë”.
Janjiq paralajmëron se përpjekjet për të lidhur çështjen e Kosovës me tema globale, si njohja e Palestinës, mund të çojnë Serbinë në izolim më të thellë ndërkombëtar dhe ta largojnë më tej nga shumica e partnerëve perëndimorë.
Të tjera
Aktuale
Lobimi kundër Kosovës, Janjiq: Serbia po minon marrëveshjet që vetë ka firmosur
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike,
Showbiz
A është fejuar Sara Hoxha, ky detaj thotë shumë
Sara Hoxha, ish-partnerja e reperit Ledri
Aktuale
Fushata zgjedhore: Mbi 20 mijë euro gjoba për kandidatë e parti politike
Mbi 20 mijë euro është shuma