Lista Serbe sërish ka dorëzuar sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.
Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.
Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.
Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve dhe Kurti ka thënë se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për një koalicion qeverisës. LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.
Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja. /REL



Të tjera
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të
Uncategorized
Rukiqi godet pushtetin e Kurtit: Po blejnë energji elektrike që origjinën e ka në Serbi
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, në