Kuvendi i Kosovës sot do ta bëjë përpjekjen e radhës për konstituim me fillim nga ora 11:00.
Pas muajsh insistim për Albulena Haxhiu që ta bëjë kryetare Kuvendi e që në fund dështoi, Lëvizja Vetëvendosje tash ka ngecur te një emër tjetër për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga minoriteti serb – Nenad Rashiq. Deputeti s’është as pjesë e partisë, por ishte pjesë e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit, prandaj përpjekjet për dhënien e postit të nënkryetarit po udhëhiqen nga kryetari i ri, Dimal Basha.
Ai ndërpreu seancën e kaluar pasi Rashiq s’mori votat e mjaftueshme edhe kur për të dytën herë doli emri i tij në votim, raporton Gazeta Express.
Basha i thirri partitë parlamentare për konsultime për zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe dhe tha se po e ndërpren seancën meqë Rashiq “ka gjasat më të mëdha” për ta marrë këtë pozitë meqë po merr më shumë vota pro sesa deputetët tjerë të Listës Srpska, të cilëve iu ra emri me short.
Këtë mënyrë votimi e ka kundërshtuar Lista Srpska me mospjesëmarrje në votim.
Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetë nga komunitetet joshumicë joserbe janë të vetmit që po votojnë pro Rashiqit, i cili zuri një nga 10 ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës për minoritetin serb. Në nëntë të tjerat janë të ulur deputetët e Listës Srpska, të cilët po këmbëngulin që posti i nënkryetarit iu takon atyre.
Kjo parti propozoi deputetin Slavko Simiq për nënkryetar Kuvendi, por propozimi s’u mbështet nga partitë shqiptare për tri herë radhazi.
Më pas Basha vendosi që të aplikojë mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarit përmes shortit.
Fillimisht, votimi u nda nga zgjedhja e nënkryetarit për minoritetet joshumicë joserbe që zakonisht është bërë në pako.
Anëtari tjetër i qeverisë së Kurtit, Elbert Krasniqi, çoi përpara kërkesën për ndarje nga pakoja me komunitetin serb dhe me pas propozoi Emilja Rexhepin për nënkryetare, e cila gjeti përkrahjen e deputetëve.
Ndarjen nga pakoja, Lista Srpska e konsideroi shkelje këtë dhe tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.
“Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë. Në seancën e kaluar kam biseduar disa herë me kryetarin e Kuvendit dhe i kam tërhequr vërejtjen për shkeljet dhe parregullsitë. Nënkryetari duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë dhe në këtë rast ai është Sllavko Simiq”, tha Igor Simiq.
Siç shtoi ai, e gjithë kjo po bëhet për t’u zgjedhur Nenad Rashiq, të cilin, megjithatë, Lista Serbe nuk e mbështet.
Simiq shtoi se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Partitë tjera shqiptare s’po pajtohen me mënyrën se si u nda votimi. Ato po akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj se po dëshiron qëllimshëm ta thellojë krizën dhe ta mbajë peng Kuvendin.
PDK-ja po abstenon në emrat e deputetëve serbë që po propozohen, përfshirë edhe atë të Rashiqit. Ndërkaq, LDK-ja s’ka marrë pjesë në votim. Nga AAK votat për deputetë nga Lista Srpska janë kundër.
Ekspertët thonë se i gjithë ky proces është jokushtetues.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se në bazë të Kushtetutës, praktikës së drejtësisë kushtetuese dhe praktikës parlamentare, në parim mënyra e votimit të nënkryetarëve bëhet në bazë të propozimit me shkrim të një kandidati që ka shumicën e votave të deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, kjo procedurë anashkalohet vetëm nëse nuk vjen fare propozimi nga përfaqësuesit në Kuvend.
“Andaj, shorti dhe votimi është duke u bërë në kundërshtim me Kushtetutë dhe me Rregullore. Çdo vendim që vjen si rezultat i kësaj forme është kundërkushtetues. Fatkeqësisht, edhe kjo fazë e ngërçit politik, siç duket, duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, në mungesë të vullnetit politik për të zbatuar Kushtetutën dhe praktikën parlamentare”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se kandidatura e Rashiqit është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, praktikën gjyqësore, praktikën parlamentare dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, pasi i njëjti nuk ka shumicën ose gjashtë nënshkrime nga deputetët e komunitetit serb.
“Në aspektin juridik, tërë këto votime janë të pavlefshme dhe s’kanë asnjë vlerë kushtetuese apo juridike”.
Të tjera
Aktuale
Një muaj nga vrasja e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra me dy djemtë e tij ende në arrati
Gjilani u trondit rëndë më 10
Lajme Opinione
Isuf Bajraktari: Fitues i vogël në mesin e të vegjëlve
Në Kosovë sot nuk kemi pozitë
Lajme
Ndalohet kontrabanda e “botoksit” e “fillerëve”, Dogana e Kosovës tregon vlerën
Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së