Kushti publik i Kusari-Lilës ndaj Kurtit, Kasolli analizon: Ajo po provon të shpëtojë nga anija e VV-së që po fundoset

 

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, analizoi lëvizjen e fundit të Mimoza Kusari-Lilës si shenjë të rënies politike të deputetit, Albin Kurti

Në një shkrim të tij, Kasolli thekson se edhe pse “në politikë shpeshherë është vështirë të zbulohen shenjat paralajmëruese të cilat flasin për fundin e një lideri”, situata me Kurtin është “pak më ndryshe”.

“Ai mund të jetë duke e shijuar vizitën e tij në SHBA, e duke i treguar botës së madhe se si modeli i tij qeverisës mund të shndërrohet në shembull planetar,” thotë Kasolli, por shton se “një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushta deri më tani, ish-Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tregoi hapur se tashme ai gjendet në një rënie të pashmangshme politike.”

Kasolli i referohet deklaratës së fundit televizive të Kusarit, ku ajo “deklaroi se tash e tutje nuk do të pranojë të shkrihet në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, por se koalicionin eventual me këtë subjekt do ta bëjë vetëm me kusht që ta ruajë autonominë juridike dhe politike të Alternativës.”

Sipas tij, “kjo kthesë e papritur nuk shënon asgjë tjetër vetëm se një përpjekje tinëzare të Mimoza Kusarit ta ruajë në momentin e fundit identitetin e saj politik.”

“Pra që të shpëtojë për vete aq sa mund të shpëtohet nga anija që po fundoset,” thotë Kasolli, duke shtuar se “sikur situata të ishte ndryshe nuk ka dyshim se ajo as që do të guxonte ta ëndërronte këtë divorc politik.”

Kasolli gjithashtu i kujton Kusarit komunikimet e mëparshme kontroverse, duke thënë se “e njëjta nuk e kishte pasur telashe as komunikimin në telefon me përfaqësues Listës Serbe që atëbotë gjendëshin në listën e zezë të SHBA-ve, sikur së Milan Radojiçiç.”

Ai konsideron se lëvizja e Kusarit “nuk është asgjë tjetër pos një kumtim jo i mirë për të ardhmen e zymtë politike të Albin Kurtit” dhe “dëshmi se ai i ka gjasat minimale të jetë në krye të shtetit.”

“Ajo në këtë mënyrë vetëm sa tregon hapur se tash e tutje është e interesuar edhe për kombinatorika tjera politike. Dhe se nuk dëshiron të shihet vetëm si instrument i Albin Kurtit,” shpjegon Kasolli.

“Kusari gjithmonë në krye të pushteteve”

Duke përfunduar analizën e tij, Kasolli bën një vëzhgim historik për karrierën politike të Kusarit: “Historia moderne e Kosovës e ka dëshmuar një gjë; se shumë pushtete janë ndërruar, madje edhe ‘regjime’, por Mimoza Kusari çdo herë është gjendur në krye të tyre.”

Pyetja që mbetet e hapur, sipas Kasollit, është “a do të ketë sukses me këtë lëvizje.”

Të tjera