Kurti ua kujton PDK’’së, LDK’së e AAK’së se e kanë opsion krijimin e qeverisë

Albin Kurti, në një nga deklaratat të javëve të fundit për formimin e qeverisë, ka thënë se nëse ai nuk e bën qeverinë vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në këtë linjë pati edhe zëra të tjerë nga VV. Tani që është duke i numëruar ditët që i kanë mbetur në dispozicionin sipas afatit kushtetues, Kurti sinjalizoi se këtë mund ta bëjë edhe “opozita”, por që, siç tha ai, s’po japin sinjale se duan. Nga kampi i partive “opozitare” duket se nuk ka gatishmëri që ta bëjnë këtë. Kryetari i PDK’së Memli Krasniqi para pak ditësh ka folur për zgjedhje të reja në dhjetor.

 

“Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”, u ankua Albin Kurti para mërgatës shqiptare në Londër.

Kryeministri në detyrë shkoi në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit derisa në shtëpi afati për formimin e qeverisë po i rrjedh.

Përpjekjet e tij për të bindur ndonjë parti që t’i bëhet partner koalicioni dhe të materializojë rezultatin e 9 shkurtit pas muajve të tërë vonesë, Kurti i zhvendosi për të bindur diasporën se si ai është në anën e drejtë.

Të martën, Kurti u zotua se do të përpiqet “maksimalisht që deri në dielën më së largu” meqë “të hënën s’mundemi me u përgatit”, për të bërë qeverinë. Ai shtoi se është duke komunikuar e biseduar në këto ditët e mbetura deri më 26 tetor.

“Nuk është kollaj, se s’di si me ua shpjegu, ndoshta e keni ndi edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm, shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi këtu dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë”, foli Kurti si i përkushtuar.

Por, menjëherë në fjalitë pasuese, ai u përpoq të sfidonte opozitën duke i rikujtuar mundësinë që ata të bëjnë qeveri.

“Përndryshe, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë ne qeverinë ose shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”.

Fjalët e tij në Londër janë thuajse krejtësisht në kundërthënie me ato që i tha në Prishtinë, në një intervistë në mediumin publik, në maj të këtij viti kur bllokada në Kuvend kishte zënë vend.

Atë kohë, Albin Kurti kishte kërkuar që t’i votohej kandidatja e propozuar për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në mënyrë që të lejohej të dëshmonte se i ka numrat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të reja.

“Kolegët e mi në Kuvendin e Republikës janë të partive opozitare që udhëheqin subjektet e tyre. Ata nuk besojnë që unë i kam 61 për kryeministër dhe unë iu them atyre që më testoni. Nëse ata besojnë që Albin Kurti s’i ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri e kanë në dorë të më testojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar kuorumin”.

Dhe tash kur në krye të Kuvendit është deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, Kurti sinjalizoi se nuk do të jetë në gjendje ta krijojë qeverinë.

A do të jetë kjo “fitore” për opozitën?

Pas deklaratave të djeshme të Kurtit nga kampi opozitar nuk pati lëvizje.

Lidhja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut është me kategorikja në kundërshtimin e saj për të lidhur ndonjë koalicion me partitë e tjera derisa duket se mbetet e palëkundur në dëshirën e saj për të qëndruar në opozitë.

“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, kishte thënë Abdixhiku për mundësinë e një koalicioni me partinë fituese, e cila, ndonëse kishte folur shpesh me përçmim për opozitën, kishte flirtuar me idenë e një qeverie LVV-LDK.

Ndërkaq, për mundësinë e bashkëpunimit për të krijuar një qeveri të opozitës, në mars të këtij viti, Abdixhiku kishte thënë se për LDK-në opsion mund të jetë koalicion me partitë e tjera opozitare vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit dhe nëse arrihet marrëveshje për postin e presidentit.

Por, lëshimin e pozitës së kryeministrit partia e dytë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit zor që e bën kompromis.

Në prill, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i pyetur për këtë në Pressing të T7 kishte deklaruar se po të dilte partia e tij e treta as që do ta diskutonte këtë.

“Ka dashtë qytetari me qenë PDK dhe Bedri Hamza. Me thënë të drejtën unë edhe i besoj më shumë Bedri Hamzës se duhet me qenë kryeministër në këtë fazë dhe mundet me bë punën më të mirë dhe që është kryeministri më i mirë që mundemi me pasë sot”, kishte thënë atëherë Krasniqi.

Sidoqoftë, partia e dytë, të cilës do t’i kalonte e drejta për formimin e qeverisë në rast se deri më 26 tetor dështon Kurti ta bëjë, ka kohë që ka përsëritur kërkesën e saj për një qeveri të ish-opozitës.

Në maj, përmes një deklarate, PDK pas një mbledhje të Kryesisë kishte deklaruar se qeveria e re “do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore”.

Ky qëndrim i PDK-së atëherë ishte si përgjigje ndaj propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri të përkohshme deri në prill të vitit 2026 kur bllokadës në Kuvend s’po i shihej fundi.

Por, para pak ditësh, kreu i PDK ka folur për zgjedhje të reja në dhjetor.

“Besoj që do të votojmë më datën 9 nëntor edhe në raundin e dytë këtu në Prishtinë por dhe në disa komuna të tjera (zgjedhje lokale), por do të votojmë jo më larg se në dhjetor edhe për zgjedhjet parlamentare”.

Më konsistente dhe më e gatshme nga dy partitë më lart për një qeveri të partive ish-opozitare është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, e cila që nga mbajtja e zgjedhjeve ka përsëritur kërkesën për krijimin e një qeverie të tillë.

Në fakt, Haradinaj ende pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte deklaruar se opozita kishte fituar shumicën.

“Opozita e bashkuar e krijon një shumicë solide dhe i jep Kosovës qeveri të qëndrueshme dhe besoj se kjo ndodh. Nuk do bëjmë koalicion me Vetëvendosje. U gëzuam që opozita mund të bëjë qeveri”, kishte thënë ai më 10 shkurt.

Edhe përgjatë bllokadës në Kuvend, Haradinaj e AAK kanë përsëritur këtë qëndrim derisa kishte thënë se mandatarë do të jenë ose lideri i PDK-së ose ai i LDK-së.

AAK, në këmbim të themelimit të një qeverie të opozitës, ishte zbutur edhe karshi partnerit të saj të koalicionit, Nismës, e cila pas zgjedhjeve doli kundër qëndrimit të AAK-së për të mos bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se do të bashkëpunonte edhe me të.

PDK, LDK dhe AAK e Nisma kanë bashkë 53 deputetë, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje ka 48.

Për krijimin e qeverisë kërkohen së paku 61 vota që do të thotë se edhe partive opozitare do t’u duhej mbështetje nga komunitetet joshumicë në rast se duan ta bëjnë qeverinë.

Të tjera