Kurti takon komisionerin e OSBE-së: Serbët lokalë t’i shfrytëzojnë të drejtat e garantuara në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komisionerin e lartë të OSBE-së për minoritete, Christophe Kamp, ku është diskutuar për të drejtat e komuniteteve dhe zhvillimet në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës pajtohet plotësisht me konstatimin e komisionerit Kamp që përgjegjësia bie mbi serbët lokalë për t’i shfrytëzuar të drejtat e garantuara në Kosovë.

“Gjatë takimit, kryeministri Kurti e falënderoi komisionerin Kamp për vizitën, për letrën dhe rekomandimet e tij, duke theksuar që Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet plotësisht me konstatimin e tij që përgjegjësia bie mbi serbët lokal të shfrytëzojnë të drejtat e garantuara në Kosovë. Kryeministri theksoi se korniza ligjore e Kosovës është e ndërtuar mbi një model fuqizues, që mundëson pjesëmarrjen aktive të komuniteteve, por që kërkon edhe angazhim dhe pronësi lokale për shfrytëzimin e të drejtave të garantuara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim janë diskutuar edhe zhvillimet lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe hapat e radhës drejt integrimit të plotë të shëndetësisë dhe arsimit në pjesën veriore të Kosovës, brenda kornizës ligjore të vendit.

“Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet pozitive lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe hapat e radhës drejt integrimit të plotë të shëndetësisë dhe arsimit në pjesën veriore të Republikës, brenda kornizës ligjore të Kosovës. Në fushën e të drejtave gjuhësore dhe të komuniteteve, kryeministri Kurti informoi për hapat konkretë të ndërmarrë nga Qeveria, përfshirë hapjen e pozitave të drejtorit të Departamentit për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, si dhe atë të Komisionerit për Gjuhët, si dhe angazhimin për rritjen e kapaciteteve për harmonizim gjuhësor. Në përfundim, kryeministri Kurti theksoi se faza e ardhshme nuk ka të bëjë me zgjerimin e të drejtave, por me thellimin e përdorimit të tyre përmes ndërtimit të besimit, angazhimit të komuniteteve dhe qasjes së plotë në institucione”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.

Të tjera