Kurti reagon nëpërmjet Këshilltarit pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës dhe dekretin që e nxori presidentja Vjosa Osmani që të shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën gjatë gjithë procedurës.

“Lëvizja Vetëvendosje e respektoi Kushtetutën në plotni”, ka shkruar Zulfaj.

Ai ka theksuar se partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme kushtetuese për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.

Sipas tij, janë propozuar dy kandidatë për të mundësuar garën për postin e presidentit, ndërsa ka kritikuar partitë opozitare, duke theksuar se ato nuk kanë paraqitur asnjë kandidat.

Zulfaj ka shtuar se seanca është ndërprerë për shkak të mungesës së deputetëve, duke theksuar se ajo do të vazhdojë sapo të sigurohet pjesëmarrja e tyre në sallë.

“Seanca u ndërpre për mungesë të deputetëve dhe do të vazhdojë kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim kushtetues”, ka theksuar ai.

Në reagimin e tij, ai ka akuzuar opozitën për bojkot të proceseve institucionale, duke përmendur edhe situata të ngjashme nga viti i kaluar.

“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tani po tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë me zgjedhjen e presidentit. Por, presidenti duhet të zgjidhet”, ka shkruar Zulfaj.

Të tjera