Për të qëndruar në pushtet edhe për një tjetër mandat qeverisës, Albin Kurti kishte nisur publikisht përpjekjen në pjesën e parë të vitit, pak kohë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Fillimisht ai kishte biseduar me përfaqësuesit e partive politike minoritare, të cilët i kishte pritur në zyrën e kryeministrit.
Kryetari i LVV-së asokohe i kishte siguruar shpejt votat e shumicës së deputetëve nga pakicat joserbe, por tre prej tyre nuk ia kishin premtuar asnjëherë votën.
Kryetarja e Partisë së Re Demokratike boshnjake, Emilija Rexhepi, fillimisht e kishte “konfirmuar gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit” me LVV-në.Por, më vonë marrëdhënia e tyre u përkeqësua pasi pushteti filloi ta demonizojë kërkesën e Baljes për formimin e një komunë për boshnjakët, që e kërkonte në këmbim të votës për qeverinë.
Takimet Kurti i kishte vijuar me ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiqi. Edhe ai, sipas njoftimit më vonë “e kishte përsëritur mbështetjen e tij ndaj Kurtit për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”.
Më pas Kurti e kishte takuar edhe me ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarin e partisë egjiptiane Iniciativa e Re Demokratike e Kosovë, Elbert Krasniqin.
Me të tre këta, tha se do ta vazhdonte partneritetin “edhe në katërvjeçarin e ardhshëm”.
Diskutimet i kishte vazhduar me deputetë, përfaqësues politikë të komunitetit boshnjak, egjiptian, turk, rom, ashkali e goran. E kishte takuar ministrin në detyrë të Zhvillimit Rural, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën, kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berishën, përsëri kryetaren e partisë boshnjake Unioni Socialdemokrat, Duda Baljen, kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinollin, kryetarin e Koalicionit Vakat, Rasim Demirin, kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, kryetarin e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifin e deputetin e zgjedhur nga ky subjekt, Artan Asllanin.
Pas takimeve me ta, Kurti kishte shkruar në Facebook se “përgjegjësia na takon neve” për formimin e qeverisë, ndërsa përmendte përfshirjen, pjesëmarrjen, angazhimin e kontributin thelbësor të komuniteteve joshumicë. Diskutimet me ta, i kishte përshkrusr si “të hapura”.
Por deputeti egjiptian, Veton Berisha, deputetja boshnjake Duda Balje dhe ai i komunitetit goran, Adem Hoxha nuk ia kishin premtuar votat e tyre. Ata kishin kërkesa specifike për Kurtin të cilat nuk kishin marrë aprovim.
Kurti kishte parë se përpjekja nuk ishte e lehtë, ndërsa dy ditë pasi i përfundoi takimet e para me përfaqësues të pakicave evidentoi se Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë” dhe e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Fatmir Limaj ishte i pari të cilin kryetari i LVV-së e takoi menjëherë pas diskutimeve me përfaqësuesit e pakicave. Më pas Kurti i dërgoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ftesa për bashkëqeverisje, por u refuzua prerazi.
Para pak ditësh në Londër, Kurti zbuloi që Limajt ia kishte ofruar postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe dy poste qeveritare. Kreu i NISMA’s e kishte kërkuar pozitën e Kryeparlamentarit.
LVV-ja, e cila i ka 48 deputetë në grupin parlamentar, do t’i bënte 51 vota me tre deputetët e Nismës. Për shumicën në Kuvend (61 nga 120). Por, Kurtit nuk do t’i mjaftonte vetëm kjo marrëveshje dhe madje as votat e 8 deputetëve minoritarë të cilat llogariten të sigurta. Pa Berishën, Baljen e Hoxhën, LVV edhe po t’i kishte të sigurta votat e Nismës nuk do t’i bënte më shumë se 59 vota në Kuvend.
Mbetet të shihet se si do të sillen sot deputetët dhe a do të dalë Kurti ta formojë Kurti 3 pa marrëveshje – një qeveri të ashtuquajtur të minorancës, të shumëpërfolur kohëve të fundit.



Të tjera
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të
Uncategorized
Rukiqi godet pushtetin e Kurtit: Po blejnë energji elektrike që origjinën e ka në Serbi
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, në