LDK ka lëshuar një komunikatë për media pasi Kurti ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër të Kosovës, duke thënë se është bërë e qartë që asnjë prej partive politike s’e ka shumicën e nevojshme për të krijuar Qeverinë e re.
Sipas LDK, përpjekjet për shtyrje procedurale e thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
Për partinë që drejton Lumir Abdixhiku, zgjedhjet janë e vetmja alternativë.
Reagimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se është bërë qartazi e dukshme për opinionin publik dhe për të gjitha subjektet parlamentare se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re. Në këtë rrethanë, shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.
LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri.
LDK-ja konfirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj rendit kushtetues, integritetit të procesit demokratik dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës. Ne do të paraqesim para qytetarëve një program të qartë qeverisës, me zgjidhje të përgjegjshme për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale. Vendit i duhet legjitimitet i ri dhe institucione që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve e jo zvarritje, jo pazare dhe as improvizime.
LDK-ja bën thirrje të veprohet me pjekuri, të shmanget retorika përçarëse dhe të kontribuohet në një proces të qetë e dinjitoz. Mandati për qeverisje u takon qytetarëve; le ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të drejta



Të tjera
Aktuale
Çfarë dihet për personin që, sipas Kosovës, u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe?
Një person mashkull me inicialet M.V.,
Aktuale
Raporti i BE: Heqja e masave varet nga depërshkallzimi në Veri
Ditën e sotme, Komisioni Evropian ka
Aktuale
Përplasja Bajrami-Osmani, deputetja i tha se i ka dyert e mbyllura në LDK
LDK-ja nuk e ka diskutuar mundësinë