Kurti dhe VV i ndërrojnë fjalët përsëri, thoshin se Limaj s’mund të bëhet kryetar me 3 deputetë, e propozuan Gërvallën që i ka 6

Deputetët u kthyen sot në Kuvendin e Kosovës pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje e provoi me propozimin e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, pasi Albulena Haxhiu dështoi t’i merrte votat e nevojshme në herën e parë.

Si rezultat, të dyjat i morën nga 57 vota, ndërsa panë 56 deputetë t’i ngrisnin duart kundër zgjedhjes së tyre. Tre deputetë abstenuan në të dyja rastet.

Propozimi i Gërvallës, kryetares së partisë Guxo, rrëzoi një arsyetim të LVV-së për të mos ia dhënë këtë pozitë Fatmir Limajt. Kryetari i Nismës Socialdemokrate, së bashku me deputetet Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Krasniqi abstenuan sot.

Para rreth një muaji, kryetari i LVV-së ia bëri Limajt një ofertë për koalicion, në të cilën nuk përfshihej pozita e kryetarit të Kuvendit.

Ndërsa Limaj po e shqyrtonte ofertën “konkrete” të Kurtit, më herët kishte bërë të ditura dy kërkesat konkrete të tij për marrëveshje me Kurtin: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.

Nga LVV patën thënë se s’mund t’i jepej kjo pozitë një partie të përfaqësuar me vetëm tre deputetë në Kuvend.

“Nuk mund të negociohet me parimet bazë të demokracisë. T’i jepet posti kaq i rëndësishëm kur ke dy-tre deputetë, nuk ka mundësi ashtu” deklaronte në një intervistë në “Interaktiv” në KTV, deputeti i LVV-së, Armend Muja.

Gjashtë deputetët e Guxo-së, vetëm tre më shumë se ç’ka Nisma e Limajt, mjaftuan sot për LVV-në që ta propozonin kryetaren e kësaj partie për kryeparlamentare.

Të tjera