Gresa Selimaj-Bytyqi, U.d. e drejtores së zyrës për kritere politike në zyrën e kryeministrit dhe Jiri Plecity, udhëheqës i njësisë për Kosovën dhe Serbinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, ishin sot në rolin e bashkëkryesuesve të takimit të shtatë të mbajtur në Prishtinë të Nënkomitetit BE-Kosovë për drejtësi, liri dhe siguri. Takimi shërbeu për të diskutuar zhvillimet dhe bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe punëve të brendshme.
Prioritet mbetet zbatimi i reformave në drejtësi në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe Deklaratën e përbashkët të zotimit. Për këtë qëllim, pjesëmarrësit u dakorduan të bashkëpunojnë për rritjen e llogaridhënies, integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë brenda gjyqësorit.
U diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me drejtësinë administrative dhe trajtimin e lëndëve të pazgjidhura gjyqësore. BE-ja potencoi nevojën që Kryeprokurori i Shtetit të përzgjidhet brenda afateve dhe Kodi civil të miratohet në kohë, siç është dakorduar në agjendën e reformave për Kosovën dhe është rekomanduar në raportet vijuese për Kosovën.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, diskutimi u fokusua në rëndësinë e zbatimit të kornizës strategjike të Kosovës, bashkëpunimin ndërinstitucional, konfiskimin e aseteve dhe funksionimin e bazës së re të të dhënave për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Autoritetet e Kosovës ofruan përditësime rreth legjislacionit rreth zbatimittëobligimeve për deklarimin e pasurisë, mbrojtjen e sinjalizuesve, parandalimin e konfliktit të interesit dhe luftimin e pastrimit të parave.
Në fushën e punëve të brendshme, dialogu sektorial trajtoi aktivitetet që lidhen me luftimin e terrorizmit, luftimine ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, luftimin e narkotikëve, adresimin e çështjeve të migracionit, vizave dhe azilit, si edhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve.
Sa u përket të drejtave themelore, diskutimet mbuluan bashkëpunimin e Avokatit të Popullit me institucionet, koordinimin e përgjithshëm, të drejtat e komuniteteve jo shumicë, barazinë gjinore dhe dhunën në baza gjinore, lirinë e shprehjes dhe drejtësinë tranzicionale.
Kosova dhe Komisioni Evropian u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë atë në nivel teknik, për të siguruar zbatimin e plotë dhe në kohë të reformave në vazhdim dhe për të dizajnuar reformat e ardhshme. Për këtë qëllim, zyrtarët përfaqësues miratuan një sërë konkluzionesh konkrete dhe me afate të përcaktuara që do t’i ndihmonin Kosovës t’i prioritizonte reformat përkatëse dhe t’i zbatonte rekomandimet që rrjedhin nga raporti i vitit 2025 për Kosovën, i publikuar së fundmi.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave mbi reformat e lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nënkomitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të legjislacionit të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
Secili takim i nënkomitetit monitoron dhe shoqëron rezultatet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.
Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nënkomiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimet klimatike dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.
“Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Takimet e Komitetit dhe nënomiteteve të MSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë./Indeksonline/



Të tjera
Aktuale
Kosovë-BE mbahet takimi i marrëveshjes për stabilizim asociimin
Gresa Selimaj-Bytyqi, U.d. e drejtores së
Aktuale
Deputeti i AAK-së: Kurti nuk e përballon që Konjufca t’i marrë 61 vota për kryeministër
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka
Aktuale
Tragjedi në familjen shqiptare në Francë, burri vret gruan dhe më pas veten
Një ngjarje e rëndë ka tronditur