Kosova tregton me Iranin: A do t’i ndiejë pasojat e tarifës së Trumpit?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin, do të përballen me një tarifë prej 25% për tregtinë që bëjnë me SHBA-në.

Ky vendim vjen në kohën kur Irani po shtyp me forcë protestat antiqeveritare, në të cilat dyshohet se janë vrarë mijëra persona.

Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën, e cila importon disa produkte nga Irani?

Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve në vend presin që efektet të jenë minimale, pasi shkëmbimet tregtare me Republikën Islamike janë të vogla dhe përbëjnë një pjesë të papërfillshme të ekonomisë kosovare.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar, vlera e importeve nga Irani arriti në 17 milionë euro, ndërsa eksporte nuk u regjistruan.

Megjithatë, kjo shifër gati se është dyfishuar krahasuar me pesë vjet më parë.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në këtë institucion janë të regjistruara

23 biznese nga Irani – 5 nga to janë aktive, 16 pasive dhe dy të shuara.

REL-i kërkoi shpjegime se çfarë veprimtarish ushtrojnë ato dhe është në pritje të përgjigjes.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shpreh bindjen se politikat e Trumpit, sidomos sanksionet ekonomike, nuk e godasin drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.

“Eksportet dhe importet Kosovë-Iran janë të papërfillshme, nuk ka investime iraniane në Kosovë dhe nuk ka varësi energjetike apo financiare”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Ekonomia e tij është dëmtuar rëndë si pasojë e keqmenaxhimit të financave publike gjatë viteve, rënies së të ardhurave nga shitjet e naftës dhe sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.

Kjo ka shkaktuar rritje të çmimeve dhe dobësim të monedhës vendase, duke nxitur protesta masive, të cilat vlerësohen si kërcënimi më i madh për regjimin islamik në dekadat e fundit.

Sytrime Dervisholli, ish-drejtoreshë e Departamentit të Tregtisë në MINT, shpjegon se tarifa e re prej 25% do të bëjë që produktet iraniane të jenë më të shtrenjta.

Megjithatë, për shkak të volumit të vogël të importit dhe natyrës joesenciale të këtyre produkteve, kompanitë kosovare mund të orientohen drejt tregjeve të tjera, më afër gjeografikisht, shton ajo.

“Nuk mund të them me siguri se cili do të jetë efekti i plotë i këtij vendimi, pasi ende nuk ka sqarime të detajuara mbi mënyrën e zbatimit dhe mbi atë se cilat produkte mund të përjashtohen nga ky vendim. Është më mirë të presim në ditët në vazhdim për informacionin zyrtar që Shtetet e Bashkuara do të publikojnë mbi mekanizmat e zbatimit të këtij vendimi”, thotë Dervisholli për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë tha Trump?

Në një postim në platformën Truth Social të hënën, Trump shkroi:

“Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% për të gjithë biznesin që kryhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”.

Presidenti nuk ka dha detaje përtej këtij njoftimi.

Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.Të dhënat nga ueb-faqja Trade Data Monitor, të cilat bazohen në statistikat e Administratës Doganore të Republikës Islamike të Iranit, tregojnë se Kina është partneri i tij më i madh i eksportit.

Ajo ndiqet nga Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia e të tjera.

Pothuajse të dhjetë eksportet kryesore të Iranit lidhen me karburantet, por shet edhe ushqime.

 

Ekspertët në Kosovë paralajmërojnë se nëse kriza në Iran zgjat, ajo mund të ketë ndikime të tërthorta edhe në ekonominë kosovare.

Një nga efektet më të mundshme është rritja e çmimeve globale të naftës dhe energjisë – e ngjashme me pasojat që pati lufta në Ukrainë në tregjet ndërkombëtare.

Rafuna thotë se kjo mund të çojë në karburante më të shtrenjta për qytetarët, rritje të kostove të transportit që ndikon në zinxhirin e furnizimit, si dhe presion shtesë mbi inflacionin – sidomos te produktet bazë.

Kosova, përndryshe, importon shumicën e produkteve – nga ushqimet deri te materiali ndërtimor dhe tekstili.

Vitin e kaluar, vlera totale e importit arriti mbi 7 miliardë euro. /REL

Të tjera