Kosova ende nuk e ka njoftuar formalisht Komisionin Europian për ratifikimin e marrëveshjeve për Planin e Rritjes që u votuan më 13 shkurt në Kuvendin e Kosovës. Ky hap kërkohet nga KE në mënyrë që të nisë me pagesën e para-financimit. Ndërkohë, KE paralajmëroi Kosovën se afati i fundit për të përmbushur reformat është 30 qershori, përndryshe rrezikon të humbasë një pjesë të financimit.
Për shkak të bllokadës politike, Kosova është shteti më i vonuar në Ballkanin Perëndimor në përfitimin nga Plani i Rritjes meqenëse të gjitha shtetet tjera tashmë kanë marrë mjetet nga Bashkimi Europian.
Kuvendi i ri ratifikoi Marrëveshjen për Instrumentin dhe Marrëveshjen e Kredisë dhe tashmë Kosova është e kualifikuar për të kërkuar fonde në kuadër të Planit të Rritjes.
Kosova ka të drejtë të përfitojë 882.6 milionë euro nga ky plan i BE-së.
Megjithatë, Komisioni Europian dje në një përgjigje për Gazetën Express konfirmoi se ende s’është bërë njoftimi formal nga Kosova në mënyrë që të nisë procesi i lirimit të fondeve.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Qeverisë, Arlind Manxhuka, për të pyetur se kur do të informojnë formalisht Komisionin Europian, por s’ka marrë përgjigje.
KE tha se Kosova ka paraqitur kërkesë për lëshimin e para-financimit deri në 7% të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij Instrumenti dhe tani që marrëveshjet që lidhen me Instrumentin për Reforma dhe Rritje janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë para-financimin.
“Pasi këto ligje të shpallen zyrtarisht dhe t’i komunikohen [formalisht] Komisionit, dhe me kusht që të plotësohen kushtet e përgjithshme (stabiliteti makroekonomik, menaxhim i përgjegjshëm i financave publike, transparencë dhe mbikëqyrje e buxhetit) si dhe parakushtet (ruajtja dhe respektimi i mekanizmave demokratikë, angazhim konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës), mund të bëhet disbursimi i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes”, tha një zëdhënës i KE’së për Gazetën Express.
Më pas ky zëdhënës kujtoi afatin e fundit shtesë që ka Kosova për të përmbushur reformat e kërkuara.
“Sa i përket kërkesave të rregullta për pagesë, rikujtojmë se Kosova ka afat deri më 30 qershor të këtij viti për të përmbushur 13 reformat, pasi kjo datë shënon përfundimin e afatit shtesë (periudhë tolerance). Nëse Kosova nuk arrin të raportojë me sukses brenda afatit, rrezikon ta humbasë këtë pjesë të financimit”.
Komisioni Europian e lejon këtë “periudhë tolerance”, sipas së cilës afati përfundimtar zgjatet me dy vjet për hapat që duhej të paguheshin në dhjetor 2024 dhe me një vit për të gjithë hapat që duhej të paguheshin në qershor 2025 e më pas.
Pas ratifikimit, Kosova tashmë duhet të ngutet për të marrë parapagimin fillestar prej 7%, që arrin në total 61.8 milionë euro. Për këtë duhet të ndërmarrë disa veprime administrative brenda afateve të përcaktuara.
Disbursimi i parafinancimit varet nga dy faktorë: hyrja në fuqi e dy marrëveshjeve dhe respektimi i parakushteve.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është në vlerë të 6 miliardë eurove dhe është e planifikuar për periudhën 2024-2027.



Të tjera
Aktuale
Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve
Një prej emrave të përfolur si
Aktuale
Nga Facebook-u te fruthi: Skepticizmi që ndikon në vaksinimin e fëmijëve në Kosovë dhe rajon
A i keni vaksinuar fëmijët? Pse,
Aktuale
Kosova ende s’e ka njoftuar formalisht KE’në, një pjesë e financimit në rrezik
Kosova ende nuk e ka njoftuar