Korporata Energjetike Kosovës ka njoftuar se ka fituar arbitrazhin në rastin kundër KEDS-it dhe KESCO-s, për mosrealizimin e pagesave, shkruan Gazeta Express.
Sipas njoftimit të KEK-ut, tashmë KEDS dhe KESCO obligohen që t’ia paguajnë Korporatës Energjetike të Kosovës vlerën prej 8.3 milionë eurove, përfshirë këtu edhe interesin e mbledhur nga pagesat e vonuara.
KEK në këtë proces është ndihmuar nga Avokatura Shtetërore, të cilët edhe i ka falënderuar për punën e bërë lidhur me këtë rast.
Njoftimi i plotë i KEK-ut:
Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A. (KEK) njofton opinionin publik se Tribunali Ad Hoc i Arbitrazhit, i themeluar sipas Nenit 28 të Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ka shpallur më 24 tetor 2025 vendimin përfundimtar në rastin KEK kundër KEDS dhe KESCO (Rasti Nr. 900020-2023), duke konfirmuar plotësisht kërkesat e KEK-ut dhe refuzuar pretendimet mbrojtëse të palëve të paditura.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Tribunali ka konstatuar faktet e pakontestuara se KEK ka realizuar furnizimin me energji në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA) dhe se palët e paditura (KEDS dhe KESCO) nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.
Gjithashtu, Tribunali ka vërtetuar se interesi për pagesat e vonuara është i paraparë dhe i lejuar me MFSh/BSA, dhe se kërkesa e KEK-ut për këtë pagesë është bërë në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale.
Nga ana tjetër, vonesat në pagesa nga KEDS dhe KESCO nuk janë justifikuar nga asnjë ngjarje force madhore apo krizë energjetike, ndërsa KEK nuk ka shkelur asnjë parim të mirëbesimit, drejtësisë apo përgjegjësisë kontraktuale.
Në bazë të vendimit të shpallur:
KEDS dhe KESCO detyrohen të paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, për interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara;
KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS/KESCO).
Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër.
Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm.
Një fitore me rëndësi strategjike për KEK-un dhe sektorin energjetik të Kosovës.
Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm ligjor për sektorin energjetik të vendit, duke forcuar pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin institucional të KEK-ut.
Ai konfirmon qartësisht sjelljen e përgjegjshme, transparente dhe profesionale të KEK-ut ndaj partnerëve dhe institucioneve, si dhe angazhimin për respektim të plotë të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale.
KEK shpreh falënderim të veçantë për ekipin e përfaqësimit ligjor të Squire Patton Boggs, si dhe për ekspertët financiarë dhe ligjorë për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.
Po ashtu, KEK shpreh mirënjohje të veçantë për Avokaturën Shtetërore të Republikës së Kosovës për mbështetjen dhe këshillimin e vazhdueshëm profesional, veçanërisht gjatë fazave të hershme të përzgjedhjes dhe themelimit të Tribunalit të Arbitrazhit, si dhe për kontributin në sigurimin e përfaqësimit të duhur ligjor gjatë gjithë procesit.
KEK mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, operimit transparent dhe menaxhimit të përgjegjshëm, duke vepruar me integritet të plotë si ndërmarrja shtyllë e sistemit energjetik dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës.



Të tjera
Aktuale
Hargreaves: Njohja e Kosovës nga Siria forcon paqen në Ballkanin Perëndimor
Ambasadori britanik në Prishtinë ka thënë
Aktuale
Basha: Jemi në rrethana të jashtëzakonshme, andaj u thirr mbledhja e sotme e Kryesisë
Kryeparlamentari Dimal Basha, është deklaruar pas
Aktuale
A do t’u kërkoni falje qytetarëve që keni gënjyer se i keni votat për Qeveri – si u përgjigj Albulena Haxhiu
Për muaj të tërë derisa Kuvendi