Si i pari president amerikan që pas George H. W. Bush, Biden do të nderohet nga presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier me Kryqin e Madh të Urdhrit Federal të Meritës.
“Me këtë medalje presidenti gjerman vlerëson meritat e presidentit Biden për miqësinë gjermano-amerikane dhe aleancën transatlantike, për të cilën Biden ka influencuar ndjeshëm në më shumë se pesë dekada dhe e ka forcuar atë”, komunikoi presidenca në Berlin përpara vizitës së parashikuar për në fillim të tetorit.
“Unë mendoj, se atë mund ta cilësosh edhe si presidentin e fundit transatlantik”, thotë për DW, Michelle Egan, profesoreshë në American University në Uashington dhe eksperte për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Europës. “Kjo ka të bëjë me punën e tij shumëvjeçare në NATO, në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe në Komisionin për Politikën e Jashtme në senatin e SHBA-së, gjë që i ka bërë të mundur atij të njohë shumë krerë europianë shtetesh, përpara se ai të bëhej president.
Biden ka lindur më 1942. Ai u rrit në një vend, që ndihmoi Gjermaninë të rindërtohej pas Luftës së Dytë Botërore. Pas ndërtimit të Murit të Berlinit më 1961 ai mundi të shohë, se si Gjermania Perëndimore u bë një partnere e rëndësishme e SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë.
“Biden është që nga viti 1972 në politikë dhe ai fitoi përvojë në politikën e jashtme përmes përjetimeve nga Lufta e Ftohtë”, thotë për DW Peter Sparding, zëvendëspresidenti i Center for the Study of the Presidency and Congress. “Gjermania praktikisht ishte në epiqendër të këtij konflikti.”
Si zëvendëspresident gjatë presidencës së Barack Obama-s përvoja e Biden në politikën e jashtme kishte një rëndësi të madhe.
Obama ka qenë mjaft i preferuar në Europë, sepse ai rindërtoi raportet transatlantike pas presidencës së George W. Bush, nënvizon më tej Egan – e ishte Biden ai, që kishte një lidhje emocionale me Europën, e jo Obama.
SHBA dhe Gjermania: Shumë të përbashkëta
Edhe sot, gjatë presidencës së Bidenit, Gjermania vazhdon të jetë një partnere e rëndësishme e SHBA-së. Të dy vendet janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën kundër Rusisë. Po ashtu si SHBA edhe Gjermania bëjnë pjesë në vendet, që në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme, theksojnë më me forcë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Në SHBA demokratët dhe Republikanët përfaqësojnë dy kampe të ndara qartazi ideologjikisht, të cilët shpesh përballen ashpër e madje edhe e luftojnë njeri-tjetrin. Në Gjermani, thotë Egan, forcimi i populistëve të djathtë dhe i partisë pjesërisht ekstreme të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) është një shenjë për përçarjen politike të popullsisë.
“Një paralele e dytë, sipas mendimit tim, është tema e kufijve dhe kontrolleve kufitare”, vëren Egan. “Gjermania pavarësisht lirisë së lëvizjes brenda hapësirës Shengen dhe BE-së ka rihapur temën e kontrolleve në kufi.”
Edhe në SHBA kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris gjatë fushatës elektorale herë pas here ngec kur është fjala për politikën e migracionit dhe të sigurisë në kufijtë e SHBA-së me Meksikën. Biden këtë temë në fillim të presidencës së tij e kishte deklaruar si ‘fushën e detyrave të Harris, tani kundërshtari Donald Trump kritikon se emigrantët ilegalë janë përgjegjës për një pjesë të madhe të problemeve në SHBA.
SHBA po u drejtohet partnerëve të tjerë
“Marrëdhëniet gjermano-amerikane në të ardhmen do të jenë ndryshe, pavarësisht se kush do të drejtojë presidencën në të ardhmen”, thotë Sparding. “SHBA po orientohen drejt hapësirës së Indo-Paqësorit dhe reagojnë edhe ndaj Kinës si një konkurrencë që duhet vlerësuar me seriozitet. Nga ana e SHBA-së pritet që vende si Gjermania të marrin më shumë përgjegjësi në Evropë dhe përreth Evropës”. /dw/
Të tjera
Aktuale
Si ndodhi aksidenti tragjik në Dollc të Klinës, ku humbi jetën një person dhe pesë u lënduan?
Policia e Pejës ka dhënë detaje
Aktuale
Çfarë synohej me mbylljen e Urës së Ibrit, Jamie Shea: S’ishte ideja e ndarjes së Kosovës
24 qershori 1999 shënon ditën kur
Aktuale
DASH anulon mbi 6 mijë viza studentore, Ambasada Amerikane: Shkelën ligjin dhe mbështetën terrorizmin
Departamenti i Shtetit ka anuluar më shumë