Ibrahim Rugova- prijësi intelektual

Shkruan: Ndue Ukaj

I

Duket sikur jeta e Ibrahim Rugovës është e lidhur me dimrin, një simbolikë që shfaqet në disa momente kyçe të jetës së tij. Ai lindi në prag të një dimri, më 2 dhjetor 1944, në gërmadhat e tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore, një kohë kur ndërgjegjja e papërlyer njerëzore, pyeste e trishtuar – nëse ekzistonte vallë njeriu – dhe ashtu, nën ethet e frikës, shkonte drejt një pranvere të paqartë.

Vetë Rugova kishte dalë nga kjo luftë me pasoja të rënda, duke bartë dhimbjen për të atin Ukën dhe gjyshin Rrustën, të ekzekutuar nga partizanët, pa gjyq e në një dimër të egër, kur ai ende nuk i kishte mbushë gjashtë javë.

Kjo dhimbje personale më vonë do të lidhej me tragjedinë kombëtare. Shqiptarët ishin të ndarë, me një mur të egër ideologjik mes tyre e në anën e gabuar të historisë, pjesë e perandorisë së kuqe, të ideologjisë komuniste. Dhe kur përmendet togfjalëshi “ideologji komuniste”, në pikëpamjet e Rugovës, duket se i ke thënë të gjitha: mungesën e lirisë, shtypjen, dhunën, mashtrimin, prapambetjen.

Asokohe, Rugova djalë i ri, i vëzhgonte realitetet sociale e politike dhe ndiente nevojën për transformime shpirtërore: nisi të shkruajë poezi, duke treguar talentin e vet dhe shpejt, letërsia, pra arti i gjuhës, bëhet mundësia ideale përmes së cilës do t’i shprehte idetë e veta intelektuale e politike. Parmës leximit të veprave më përfaqësuese të artit botëror i thellon njohuritë e veta.

Në planin autentik kombëtar, ai tregon një interes të vazhdueshëm për historinë kulturore shqiptare, duke e konsideruar atë si pikënisje për të krijuar një vizion të tijin. “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, të cilën e cilëson si “një universitet i kulturës sonë”, bëhet një lloj busulle për orientimin e tij, kurse patriarku i letërsisë shqipe e strategu i madh i shekullit XVII, bëhet udhërrëfyes për të. Duke e aktualizuar jetën dhe veprën e Bogdanit, Rugova ngulmonte t’i shpaloste rrënjët e hershme të idesë europianë te shqiptarët, jo aq të njohura e ndonjëherë edhe të keqinterpretuara.

Zhvillimet e hovshme që ndodhën në dy dekadat e fundit të shekullit XX, e gjejnë intelektualin në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve, dhe pastaj, në krye të lëvizjes së parë demokratike në rajon.

Atëkohë, mbi shqiptarët shtohej represioni e dhuna. Intelektuali i formuar me ide perëndimore, pasi kishte kaluar një kohë solide në Paris, nuk kishte se si të heshtte përballë shtypjes dhe ishte nga të rrallët shqiptarë, që guxonte të fliste për dhunën që ushtronte Serbia, fakt ky që e pohonin edhe gazetat prestigjioze ndërkombëtare.

Rugova fillimisht kishte folë për refuzimin estetik, si pikënisje për një refuzim politik kundrejt shtypjes e hegjemonisë. Dhe kështu, një dhjetor të zymtë shoqëror, në vitin 1989, kur hegjemonia serbe po shfaqej e egër në ish-Jugosllavi, së bashku me shkrimtarë e intelektualë të tjerë, më 23 dhjetor, Rugova themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gjithçka ndodhi në prag Krishtlindjeje dhe kjo nuk ishte koincidencë e pamenduar. Rugova bëhet prijës intelektual, me besimin e palëkundur te vlerat e hershme shqiptare, të cilat nisi t’i ripërtërinte në domenin e politikës, pasi një punë kolosale në fushën e letërsisë. Dhe, duke e parë se komunizmi po shembej e muret ndarëse po binin, ai nisi betejën politike për t’i shembur muret e ndarjes e të urrejtjes ndër shqiptare, dhe punoi për liri, integrim ndër shqiptar, pavarësi e demokraci perëndimore.

Vdekja e Rugovës, më 20 janar 2006, në një dimër të acartë, përmbyll jetën e tij tokësore, mbasi vendit të tij ia hapi shtigjet për të kaluar nga dimri e robëria, në pranverën e lirisë dhe të pavarësisë.

II

Rugova u shfaq në jetën kulturore e politike shqiptare, në rrethana shumë të vështira e një kohë kur shterpësia intelektuale, pasojë e uniformitetit ideologjik, nuk lejonte frymëmarrje të lirë e pluralitet mendimesh.

Ai ishte ushqyer me liri perëndimore dhe e kërkonte lirinë si imanencë njerëzore e pa korniza ideologjike. Me idetë e reja që solli në Prishtinë, e që shkonin përtej mjedisit të ngushtë kulturor e politik, ai shpejt u bë fenomen i veçuar e një përjashtim. Pikëpamjet e tij për komunizmin i shprehte kështu: “Komunizmi nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që e mohon historinë. Shefat si – Tito, Mao, Hoxha, Lenini…-pastaj fabrikuan historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të qëllonte intelektualët.”

Pra, si prijës intelektual, ai ishte mishërimi e sublimimi më i bukur i vlerave pozitive shqiptare, por edhe atyre perëndimore, të cilat i admironte, për shkak të rezultateve empirike, ndaj i afirmonte me një këmbëngulësi e dije mahnitëse.

Po, Rugova dinte t’i shpaloste, t’i afirmonte e t’i lidhte fijet e shkëputura të identitetit europian shqiptar, e nuk pushonte kurrë se foluri për anët më pozitive të kombit, një gjë që, në një formë tjetër e bënte shkrimtari Ismail Kadare, për të cilin Rugova ushqente admirim të madh, që në vitet e tetëdhjeta, kur e vlerësonte përmasën botërore të universit kadarean.

Për Rugovën, identiteti europian i shqiptarëve, nuk ishte përcaktim as zgjedhje, por një ndjesi e thellë shpirtërore, mënyrë e të menduarit e të jetuarit, në të cilën temë, ngjashëm me Kadarenë, ishte i pakompromis e i palëkundshëm.

III

Sa herë shkruajmë për personalitete e vepra shumëdimensionale, që kanë krijuar epokën e tyre, pashmangshmërisht bëhen pyetje retorike. Si për shembull: çka e bënte të veçantë Rugovën?

Dhe përgjigja, me siguri, nuk mund të jetë një e unike, merr diçka nga klishetë e zakonshme, por për mendimin tim, ajo që e shquan dhe e bën krejt të veçantë personalitetin e tij, në fushën e letërsisë e të veprimit politik, ishte besimi i palëkundshëm te pesha e fjalës e të kultura, si semiosfera më e rëndësishme shoqërore, të cilën, në përkim me mësimet e Tomas S. Eliotit, nuk e shihte si shumësi të aktiviteteve, por si mënyrë jetese. Kjo e bënte besimtar të devotshëm ndaj gjuhës dhe botës së ideve, duke besuar te forca e padukshme e artit dhe kapacitetet që ka gjuha për të formuar realitete të reja shoqërore e për t’iu dhënë kahe ideve humane e të bukura.

Fushatës negative serbe, në fushën e mendimit e të veprimit, Rugova iu përgjigj me strategji krijuese të mirëmenduar e pozitive, duke afirmuar paqen si vlerën më humane njerëzore, aq sa ligjërimin i tij, duket sikur ka një shndritje të epërme e një besim të palëkundshëm te ana humane e njeriut. Dhe kjo filozofi ndeshet me një mospërkim të thellë më traditat e egra politike të Ballkanit të trazuar, ku gëlonin idetë e cekëta e urrejtja patologjike.

Shkrimtari polak, laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, Czeslaw Milosz, në vitin 1946 ka botuar një poezi të titulluar “Dedikim”, në të cilën, ndër të tjera ka dy vargje goditëse:

“Çfarë është poezia që nuk të shpëtojë kombe apo njerëz? Një trillim me gënjeshtra zyrtare.”

Një besim të tillë e kishte Rugova te letërsia, prandaj thoshte se “ata i kanë armët, ne i kemi fjalët.”

Duke iu kundërvënë represionit e dhunës serbe, me strategji paqësore, duke iu përgjigjur urrejtjes patologjike të regjimit serb e institucioneve që e përkrahnin, me fjalë të buta, ai afirmonte një dimension të thellë të besimit tek e mira, te vlerat e demokracisë oksidentale, prandaj, thoshte se rezistenca jodhunore ishte ide europiane. Dhe të shqiptoje një ide të tillë, në një rajon gjaknxehtë e ne një kohë kur afshi i luftës e kishte përfshirë rajonin, dukej një përndritje që vinte nga forcat e epërme.

Rugova e bëri një gjë të tillë, me kulturë e guxim të pashoq.

IV

Rugova i artit dhe letërsisë, pra i ideve humane, hyri në një betejë të ashpër të politikës dhe të lojërave politike, pa ushtri, pa institucione, por i armatosur me fjalë, e me besim të palëkundur te forca e fjalëve të mira. Me këtë besim, e ngriti lart nën qiellin e trazuar një flamur të mirësisë, duke nisë me shtetin serb një betejë të pabarabartë, e të cilën e fitoi, ngaqë e bëri botën perëndimore të rreshtohej prapa kauzës së popullit të tij. Sepse, ai besonte tek e mira dhe ishte i palëkundur në këtë besim; nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë, dhe në fillimet e rrugëtimit politik e përmend Edmond Burken, që thoshte se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, mendim ky që përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor.

Ismail Kadare duke shkruar rreth figurës së Rugovës, te parathënie a librit “Çështja e Kosovës” ndër të tjera, shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”

Pra, Rugova i kishte shpërfillë konceptet ballkanike dhe në hierarkinë e vlerave politike, trashëgimitë e këqija nuk i vendoste askund. Kështu, ai e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve – testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij. Dhe, ashtu si rilindësit e mëdhenj, përveç synimeve politike, kishte mision edhe oksidentalizmin e shoqërisë sonë. Në gusht të vitit 1991, ai thoshte:

“Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.”

Mendimet e tij janë mësime empirike, të provuara dhe si të tilla shërbejnë si një dekalog i mirë se si bëhet shteti e si bashkohen njerëzit rreth të mirave të përbashkëta dhe qëllimeve të larta dhe thoshte:

“Ne me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe të angazhohet konkretisht për të.”

Mësimet e Rugovës janë mësime të paqes, të përparimit e të solidaritetit, dhe si të tilla, lidhen me amshueshmërinë e vlerave njerëzore, për çka ai ka kontribuar si askush në Ballkan.

(Pjesë nga parathënia e librit, “Rugova prijësi intelektual”, botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova)

 

Të tjera